Historia e familjes së Mario Mitajt është një histori filmi që do të tërhiqte audiencë të madhe nëse do të vendosej në jetë nga regjisorët. Një ide kjo e cila nuk mund të përjashtohet nëse talenti i AEK do të bëjë karrierë të madhe.

Në vitin 1997, familja e futbollistit shqiptar ka bërë disa tentativa për t’u larguar drejt shtetit fqinj. Gjatë një prej këtyre rasteve është rrezikuar seriozisht jeta e babait të Marios, Lin Mitaj. Por fati e donte që të vazhdonte të jetonte dhe të shijonte sukseset e djalit të tij.

Aktualisht Mitaj është pjesë e AEK dhe ka vendosur disa rekorde me këtë skuadër, pasi është vetëm 17-vjeç dhe po luan me ekipin e parë. Greqia është duke ushtruar shumë presion për t’ia marrë Shqipërisë këtë futbollist. Së fundmi në mediat greke është përfolur se kjo Kombëtare ka futur edhe Panajotis Kone për të bindur Mitajn që të ndryshojë mendjen.

Por si është e vërteta? “Sport Ekspres” ka intervistuar babain e Marios, Lin Mitajn, për të zbuluar të vërtetën. Aty mësohet edhe një tjetër informacion ekskluziv që mbrojtësi i AEK nuk do të vijë në grumbullimin e fundit të Shqipërisë U-21 pasi i nevojitet ekipit grek për kampionat.

Mario ka thyer rekorde të ndryshme me AEK. Nga debutimi në kampionat te Europa dhe dy asist e dhënë. Cila është ndjesia që i lë prindërve?

Me debutimin e Marios në kampionatin grek, në Europë dhe me dy asist që ka dhënë, unë nuk mund të përshkruaj me fjalë atë ndjesinë tonë si prindër. Nuk paska gjë më të bukur në këtë jetë se të shohësh fëmijët duke ecur para dhe duke llogaritur sakrificat që kemi bërë ne për ta, që të ndjekin rrugën e tyre. Ky ishte shpërblimi më i bukur.

Po flisnit për sakrifica. Sa i vështirë ishte për ju kalimi nga Shqipëria në Greqi?

Në kohën e trazirave në vitin 1997 vendosa për të ikur drejt Greqisë tek vëllezërit. Bëra disa përpjekje për të kaluar, por herë mbetëm në rrugë e herë na kthyen. Një nga këto rastet ishte duke ikur në Patos të Fierit, na dolën dhe na grabitën në rrugë njerëz që ishin të armatosur.

Na kanë qëlluar dhe plagosur. Një prej njerëzve të mi ka ndërruar jetë aty dhe i njëjti plumb më goditi dhe mua. Por vetëm më kapi pak lëkurën dhe nuk pati pasoja të rënda. E provova prapë rrugën në Greqi, arrita në Athinë dhe u stabilizova shpejt.

Si është edukuar Mario sa i përket frymës kombëtare dhe vendit të origjinës. Flisnit gjithmonë shqip dhe i tregonit për Shqipërinë?

Sa i përket edukimit ne si prindër jemi munduar me çdo kusht që të përcjellim tek fëmijët tanë ato që kemi mësuar nga familja e të parëve tanë. U kemi folur për origjinën dhe çdo vit kemi ardhur së bashku për të kaluar pushimet në vendin e origjinës, në Vermosh të Malësisë së Madhe.

A është e vërtetë se Mario kaloi në Spanjë, në akademi vetëm nga presioni për të veshur fanellën e Greqisë?

Në Spanjë kemi ikur me marrëveshje të plotë me AEK. Nuk ka pasur asnjë arsye presioni, por për të provuar fatin në Spanjë. U kthyem prapë tek AEK pasi Mario pati një dëmtim të vogël në një turne në Spanjë.

Në mediat greke thuhet se Greqia e do me çdo kusht, por vendimin e merr ti(babai), që ngulmon për Shqipërinë. Si qëndron e vërteta?

Mario është ftuar disa herë nga Greqia dhe shumë herë të tjera na kanë komunikuar duke na treguar besimin që kanë për djalin tonë dhe vlerësimin që kanë për të. Na kanë thënë se janë të gatshëm për të na pritur në çfarë do momenti që do të vendosim.

I falënderoi dhe i respektoi për këtë gjë. Normalisht që ne si prindër do t’ia japim mendimin tonë, por vendimin e merr Mario. Megjithatë kjo nuk e ndryshon realitetin pasi këto dy Kombëtare janë në zemrën tonë: “Kombëtarja e vendlindjes dhe ajo e origjinës”.

AEK ka përdorur Panajotis Kone për të bindur Mitajn. A do tia arrijë qëllimit drejtori sportiv i AEK për ta bindur që të ndryshojë zgjedhje?

Kone ka qenë një lojtar shumë i mirë e më shumë përvojë në Greqi e në Europë. Beson shumë tek Mario dhe jam i sigurt se është mësuesi më i mirë i mundshëm për Marion. Nuk ka pasur kurrë presion prej tij, por marrëveshje të plotë. Mario nuk ka ardhur dot këtë herë te Shqipëria U-21 pasi po luan në kampionat dhe te AEK janë vetëm dy mbrojtsa të majtë, ndërsa zhvillohen nga dy ndeshje në javë. /Sport Ekspres/