Astrit Hafizi mendon se Teuta dhe Vllaznia në këtë pikë vendimtare të sezonit kanë ndryshuar për mirë, duke u përmirësuar në disa aspekte të lojës së tyre. Në analizën e tij për ndeshjet e luajtura këtë javë, Hafizi tha për “SuperSport” se durrsakët ishin krejtësisht ndryshe nga skuadra zhgënjyese që kishte parë në fazën e parë.

Ndërsa sipas tij, Vllaznia ndaj Partizanit kishte treguar se ishte pjekur dhe se askush nuk mund të thoshte se nuk e meritonte titullin nëse e fitonte.

“Kur e kam parë Teutën në Shkodër në fazën e parë, kam mbetur i zhgënjyer për paraqitjen e saj. Ndoshta duke pasur parasysh që edhe Vllaznia ishte e stabilizuar në lojën e saj e të tjetrit nuk e kishin arritur ende. Më bëri shumë përshtypje gjendja në atë periudhë.

Sot gjendja ka ndryshuar dhe Teuta është e vështirë për t’u mundur, veprimet mbrojtëse i bën në mënyrë perfekte. Mbrohet komplet si skuadër, është skuadër që edhe kur fiton me rezultat minimal, di të administrojë rezultatin, është sukses duke pasur parasysh që këto janë ndeshje të vështira.

Por edhe sot, përballë një kundërshtari shumë të mirë, mendoj se ishte e vendosur shumë mirë, e organizuar dhe besoj se ishte në pjesën më të madhe të lojës superiore. Do jetë më mriz nëse ndryshon pak sulmin jo me vetëm Bregun, se sot ishte gol individual i jashtëzakonshëm, por me të tjerat duhet të ketë bashkëpunim. Po t’i shohësh si grup në interpretimin e lojës së sulmit nuk e kanë të rrjedhshme, por është skuadër shumë e vështirë për ta mundur.

Vllaznia sot ishte ndryshe në veprimet mbrojtëse, kishte veprime në sulm. E vetmja gjë që ka pasur Vllaznia është një plus se ka regjistruar 13 fitore, dhe ka kryesuar shumë javë kampionatin. Për 22 javë. Është plus psikologjik sot mu duk me e orientuar në veprimet mbrojtëse.

Nuk mjafton për të dalë kampion, ka shumë vështirësi, por nëse del askush nuk mund të thotë se e mori kot. Po të dilte do të ishte se e meriton se pavarësisht se ka pasur oshilacione dhe nuk është ndërtuar për titull, ka qenë për shumë javë në kryesim.

Sot e pashë më të vendosur me mend në kokë, gjithmonë ka dalë përpara duke kërkuar me çdo kusht sulmin. Por ndeshje më të rëndësishme e presin, duke filluar nga kjo javë në Laç. Por faza e katërt është bombë, se ka mundësi të afrohet edhe Tirana.

Ky mund të bëhet kampionati më i merituar, i vullnetshëm. Ndeshjet do të jenë serioze, të gjithë këto 5 skuadra e meritojnë të hyjnë në Europë dhe nuk ka lëshime. Më vjen mirë që është kjo ngjeshje e këtyre skuadrave edhe për gabimet e Vllaznisë se diferenca që kishte nuk është pak”, tha Hafizi. /vipsport/