Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka hapur dritën jeshile për privatizimin e klubit duke miratuar me një vendim të marrë me vota unanime në 30 nëntor shitjen e klubit të futbollit “AF Elbasani”.

Në vendimin që disponon SuperSport, përcaktohet se në bazë të kërkesë të vetë klubi, Bashkia që disponon aktualisht 100% të aksioneve, pasi ka bërë vlerësimet e nevojshme në kontabilitet dhe shqyrtimin e aseteve vendosi të miratojë shitjen e 70% të aksioneve vlera e të cilave është përcaktuar në rreth 138 milionë lekë.

Natyrisht ky është hapi i parë për nisjen e ankandit dhe kjo është vlera bazë për nisjen e tij. Vlen të kujtohet se në shitje përfshihen, emri , logo e klubit dhe asete të tjera të vogla, por jo infrastruktura dhe terrenet sportive që mbeten pronë e bashkisë.

Vendimi hyn në fuqi 10 ditë pas shpalljes duke nisur edhe ankandi me bashkinë që pret ofertat, ndërkohë që një ndër personat e interesuar deri më tani, ka qenë biznesmeni Kujtim Llupa i cili ka qëndruar pranë skuadrës gjatë gjithë kësaj kohe duke e mbështetur në formën e sponsorizimeve.

Privatizimi i “KF Elbasani”, është një lajm i mirë për të gjithë tifozerinë e një prej qyteteve më me traditë në futbollin shqiptar pasi i hap rrugën një niveli të ri në aspektin menaxhues dhe mbështetës të klubit, duke e çuar Elbasanin në një tjetër dimension, për ta rikthyer në majat e futbollit shqiptar.

Kjo vlen jo vetëm për rritjen e financave dhe ndërtimin e një skuadre elitare, por edhe për sa i përket investimeve për ndërtimin e një qendre të re stërvitore apo dhe ndërhyrjet në strukturën aktuale.