Vllaznia do të luajë të premten në Korçë ndeshjen e rradhës për kampionat, pikërisht ndaj Skënderbeut të vendit të fundit. Në pamje të parë, mund të konsiderohet ndeshje e lehtë, por kurrsesi nuk është e tillë.

I këtij mendimi është edhe analisti i futbollit, Apollon Haxhi, i cili ishte i ftuar në emisionin “Sport Arena”, në TV Rozafa, teksa sipas tij, fitorja e Vllaznisë në këtë ndeshje është detyrim, sepse vetëm kështu ajo mund të qëndrojë brenda objektivave të saj.

“Ndeshje shumë e vështirë ndaj Skënderbeut, por unë kam besim që këtë ndeshje Vllaznia duhet ta fitojë, sepse është ndeshje vendimtare për Vllazninë. Në qoftë se, edhe në këtë ndeshje, Vllaznia do të lërë pikë, atëherë vjen gjithmonë duke u ngushtuar “laku”. Unë mendoj se Vllaznia e ka detyrim fitoren ndaj Skënderbeut në Korçë.

Duhet pranuar, duhet thënë se Vllaznia është një ekip i bukur që të pëlqen në lojë, por ndoshta rezultatet janë një problem shumë i madh. Të themi atë që është, lojërat janë të bukura.

Njerëzit kërkojnë rezultate, rezultatet nuk po vijnë. Po shohim disa veprime amatoreske, disa gjëra si p.sh atëherë ajo ndërhyrja e Da Silvës, që bëri një penallti ndaj Laçit, apo edhe kjo ndërhyrja e Hakaj, pavarësisht se ndoshta është padashje kështu, por lë për të dëshiruar, sepse mungesa e një lojtari, pastaj sjell gjithë këto pasoja mbrapa.

Në ndeshjen ndaj Partizanit, ishim mirë 0-1, edhe falë një penalltie që ishte realisht, por një favorizim i vogël për Vllazninë. U rikthye prapë edhe njëherë penalltia për t’u gjuajtur, sepse kemi parë edhe raste të tjera, nuk është se kthehen shpesh këto penallti.

Janë raste krejt të veçanta dhe VAR veproi me vonesë, por ai veprimi i Hakaj pastaj dëmtoi gjithë ecurinë e ndeshjes. Partizani është edhe në gjendje të mirë fizike. U pa edhe në pjesë të dytë, aq më tepër që Vllaznia luajti me 10 lojtarë, sidoqoftë këto janë ato probleme, që bëjnë diferencën me ekipet e kreut.

Në fakt, duhet pranuar se kur afërsisht, ti afrohesh në lojë, cilësi dhe kualitet, në disa gjëra të vogla aty, bëhet diferenca. Nga disa veprime amatore që dikush tjetër nuk i ka.

Edhe humbja e Tiranës këtë rradhë ndaj Kastriotit, them që i ka dhënë prapë shanse ekipit që të jetë sërish aty pretendente në një farë forme”,-tha analisti i futbollit, Apollon Haxhi.

Maringlen ZHIVANI