Skënderbeu-Vllaznia është ndeshja e rradhës në kampionat për shkodranët. Takim që do luhet në transfertë, ditën e premte në orën 16:45 në stadiumin e qytetit të Korçës.

Një ndeshje që mund të jetë shumë vendimtare në ecurinë e kuqebluve, kjo duke parë edhe përballjet direkte që kanë kundërshtarët e pjesës së sipërme të tabelës së klasifikimit.

Një prej futbollistëve prej të cilëve pritet të bëhet diferenca në këtë takim është Victor Da Silva. Braziliani nuk ka kaluar një formë të mirë së fundmi, e ndaj korçarëve pritet të ketë një reagim nga ana e tij. Në takimet e sezonit të shkuar, 27-vjeçari ka ditur si të jetë protagonist në takimet kundër korçarëve.

Golin e parë me fanellën e Vllaznisë, ai e ka shënuar pikërisht kundër Skënderbeut në fitoren 0-2 në javën e dytë të sezonit të shkuar. Edhe goli në finalen e kupës së Shqipërisë, në datën 31.05.2021 ishte vendimtar në fitmin e trofeut. Da Silva do i jepte një trofe Vllaznisë pas 13 vitesh “thatësirë”. E në finale përballë ishte Skënderbeu.

Pra ish-futbollisti i Chievos i njeh mirë korçarët dhe duket se ata janë një ekip fatsjellës për të. Edhe tifozët shkodranë duan që sulmuesi të rikthehet të jetë protagonist me skuadrën e tyre të zemrës. Duke njohur edhe cilësitë e brazilianit që është një nga më të talentuarit e kampionatit tonë.

Endri ÇINARI