Herlad Marku për pak sa nuk u shfaq nga engjëll në djall te Vllaznia dje. Mesfushori e pranon se kishte frikë që mos ekipi e pësonte nga karton i kuq që mori, por shokët luftuan dhe nuk e lanë në baltë. Pas ndeshjes, Marku pohoi se fitore të tilla forcojnë karakterin e ekipit.
Sa ju shijoi fitorja ndaj Tiranës, për vetë situatat që pati ky takim?
Jam shumë i lumtur, duke ditur edhe situatat e krijuara, ku fillimisht shënova golin dhe më pas mora kartonin e kuq. Është një emocion i paparë, por në fund u shpërblyem me një fitore. Falënderoj shokët e skuadrës që luftuan deri në fund edhe për mua që nuk isha në fushë për gati një pjesë loje. Në fund, ia dolëm të marrim tri pikët.
Ju erdhi keq që e latë skuadrën me një forcë më pak dhe a kishit frikë se gjërat mund të ndryshonin në pjesën e dytë edhe për fajin tuaj?
Pa dyshim më erdhi shumë keq, por futbolli i ka edhe këto raste. Gjithsesi, fitore të tilla janë edhe më të mira, pasi forcojnë shumë karakterin dhe moralin e ekipit dhe na bëjnë të vazhdojmë përpara. Pa diskutim që frika ishte, pasi mora të kuqin kur ishin në superioritet me gola dhe forca në fushë, por shokët luftuan edhe për mua duke mos më lënë në baltë me veprimin e bërë.
Ndërhyrja juaj, a ishte për karton të kuq?
Ndërhyrja ishte dhe erdhi edhe kartoni im i dytë i verdhë. Të them të drejtën, në gjykimin tim nuk është se ishte ndonjë ndërhyrje e ashpër, por gjyqtari e di më mirë derisa mori atë vendim.
A e ndihmon Vllazninë kjo fitore ndaj kampionëve në shtëpinë e tyre?
Normal, çdo fitore është shumë e vlefshme, sidomos ndaj një rivali të përhershëm të Vllaznisë. Pastaj fitorja në kryeqytet të jep një moral akoma më të madh. Tani duhet të ulim kokën, të punojmë dhe të përgatitemi për ndeshjen tjetër.
Duhet të vinit te Vllaznia, për të parë sërish Markun. Partizani a është e shkuar e harrur për ju?
Po ashtu rezulton, duhet të vija këtu. Ndërsa Partizani ashtu mbetet, i shkuar i harruar.