Po bën shumë mirë në Zvicër dhe duket gati për një sfidë më të madhe. Arbenit Xhemaili ka shkëlqyer këtë sezon në Zvicër me Ksamaks, ku aktivizohet edhe Seferi dhe ka nxitur interesin e një prej klubeve të konsoliduar në Serie B, ku herë pas here viziton edhe Serie A.

Peskara e Ledian Memushajt gjatë këtyre kohëve në karantinë ka menduar për merkaton dhe duket se ka shënjestruar mbrojtësin e Kosovës.

23-vjeçari edicionin aktual ka bërë shumë mirë për skuadrën e tij, ku në 16 paraqitje ka arritur të gjejë dy herë rrugën e rrjetës e të dhurojë dy asiste. Është mjaft i gjatë (190 cm), zotëron duelet në ajër dhe tregohet i saktë në topat e diskutueshëm. Cilësitë e tij i kanë parë edhe drejtuesit e Peskarës, që pritet të synojnë shërbimet e tij në verë.

Vlera e Xhemailit në merkato është mbi 800 mijë euro, me klubin zviceran, që do mundohet ta rrisë sa më shumë këtë shifër. Xhemaili është aktivizuar te 21-vjeçarët e përfaqësueses së Kosovës dhe ka arritur të debutojë me kombëtaren e madhe në tetor të vitit të shkuar në sfidën e fituar 1-0 ndaj Gjilbratarit. Vera është e gjatë dhe fundi i saj mund ta gjejë Memushajn dhe Xhemailin në të njëjtën skuadër. /vipsport/