E kishte menduar ndryshe aventurën tek Veleçiku por gjërat kanë marrë rrjedhë krejt tjetër. Hysmir Idrizi, lojtari i ardhur nga Vllaznia, nuk po gjen hapësirat e duhura në formacionin e koplikasve dhe për rrjedhojë nëse vazhdon kjo situatë, ai mendon largimin nga kjo skuadër në janar. Këtë e ka bërë të ditur për gazetën vetë lojtari kur ka thënë:
“Të them të drejtën jam i zhgënjyer. Nuk e kisha menduar kurrsesi se gjërat do shkonin kështu. Nuk po luaj në formacion ndonëse gëzoj një formë shumë të mirë sportive dhe natyrisht që kjo situatë më ka mërzitur. Ju normalisht do më pyesni pse nuk po luaj? Përgjigja është e qartë: Zgjedhje e trajnerit. Ai e mendon kështu dhe jam i detyruar ta zbatojë këtë vendim të tij. Mendoj se kam shumë për të dhënë për këtë skuadër por si duket trajneri nuk ka besim tek unë dhe aktivizohen një sulmues tjetër”. Deklarata e 20 vjeçarit është e fortë. Në njëfarë mënyre paralajmëron largimin. Në prononcimin e tij, sulmuesi që tek Akademia Vllaznia ka shënuar një mal me gola, shkon edhe më tej në shprehjen e pakënaqësisë. “Ekipi po ai i javëve të para është. Po ai grup lojtarësh që mori 9 pikë. Ndërsa në gjithë këto ndeshjet e fundit, nuk po arrijmë të marrim dot pikë. Jam i mendimit se me ndryshimet në pankinë kane ndikuar ne kete mes prandaj dhe po mungojne rezultatet”- ka thënë Idrizi në vazhdim të rrëfimit të tij për gazetën. Megjithatë, tashmë skuadra nuk ka vend për polemika sepse është në prag të sfidës së rradhës, asaj që do të luajë nesër në Krujë me Kastriotin. I pyetur nëse do të luajë në këtë ndeshje dhe a ka shpresë Veleçiku për marrjen e pikëve, sulmuesi Hysmir Idrizi do të përgjigjej: “Nëse do luaj apo jo, këtë e vendos trajneri. Unë e thashë edhe më lart se jam i gatshëm në çdo moment për të dhënë më të mirën për skuadrën. Sa për marrjen e pikëve, natyrisht që dëshira ekziston por të jemi realist nuk i shoh gjërat shumë në terezi megjithatë të shpresojmë për marrjen e ndonjë pikë në këtë ndeshje për t’u rikthyer tek rezultatet pozitive”. Flet për rezultate pozitive dhe aktivizim por natyrisht që mendja e këtij futbollisti që ka debutuar me Vllazninë diçka më shumë se 17 vjeç, është tjetër kund. Ai mendon largimin nga Veleçiku në janar e këtë e konfirmon edhe vetë ai kur në fund do të thoshte: “Meqënëse po shoh që kam shumë pak hapësira, sigurisht që nuk mund të qëndroj më tek kjo skuadër. Planet ishin ndryshe në verë por ndryshuan më pas. Në rrethana të tilla, në janar me shumë siguri unë do të jem në një skuadër tjetër ku do të mund të shfaq aftësitë e mia. Jam vetëm 20 vjeç dhe nuk mundem kurrsesi të pranoj stolin”.
© shkodrasport.com