Vllaznia do të përballet sot në orën 18:00 me Teutën në “Niko Dovana”, duke kërkuar rikthimin te fitorja. Kuqeblutë e Qatip Osmanit do të kenë vetëm një problem me formacionin në Durrës, atë me sulmuesin Gruda që ka ndjerë disa shqetësime dhe është në dyshim nëse do të luajë apo jo.

Por stafi teknik i ka marrë masat për ta zëvendësuar dhe tashmë ka gati edhe formacionin. Në portë pritet ta nisë Kristi Qarri, ndërsa në mbrojtje do të rreshtohet: Nga e djathta Smajli, në qendër Stojanoviç me Juriç, ndërsa në krahun e majtë Esin Hakaj.

Me një skemë 4-3-3, në mesfushë trajneri i Vllaznisë pritet ta nisë me Krymin, Alivodën dhe Boshnjakun. Ndërkaq, në ofensive do ta nisin nga fillimi Esat Mala në krahun e majtë, Bekim Balaj në qendër dhe Mehdi Çoba në krahun e djathtë.

Pas 5 ndeshjeve radhazi pa fitore, shkodranët do të mundohen që të rikthehen te suksesi me Teutën. Në tri përballjet direkte mes tyre këtë sezon, Vllaznia i ka fituar të gjitha.