Inter ka mundur 4-0 Salernitana-n në javën e shtatë të Serisë A dhe është kthyer në krye të renditjes falë diferencës më të mirë të golave dhe fitores direkte kundër Milan-it në derbi.

Një mbrëmje e jashtëzakonshëm për Lautaro Martinez. Argjentinasi e ka nisur ndeshjen nga stoli dhe pasi është aktivizuar në minutën e 54-të nga trajneri Inzaghi ka qenë i papërmbajtshëm.

Kampioni i botës, në fakt, ka realizuar një poker personal golash duke i dhuruar fitoren zikaltërve në një transfertë që dukej e vështirë para se ai të zbriste në fushë.

Lautaro është bërë lojtari i parë i aftë të realizojë katër gola i aktivizuar nga stoli në Serinë A në epokën e tri pikëve për fitore (nga 1994/95).

Ka pasur minuta edhe për yllin kuqezi Asllanin, i cili ashtu si Lautaro dhe Mkhitaryan është aktivizuar në minutën e 54-t.

Me katër golat e shënuar sot, argjentinasi kryeson renditjen e golashënuesve të Serisë A me 9 realizime, katër më shumë se ndjekësi i tij më i afërt Osimhen.