Interi dhe Milani shkojnë në pauzën e kombëtareve si bashkëkryesuese të Serisë A.

Të dy skuadrat milanezë kanë marrë pikët e plota në këto tre javë dhe si për ironi të fatit, kur të kthehen do të diskutojnë kreun mes tyre në një përballje direkte.

Një sfidë e tillë është gjithmonë e ndezur dhe rivalizuese, por për të dy skuadrat këtë herë do të ketë një shije ndryshe, edhe pse bëhet fjalë për javët e para të kampionatit.

Kjo, pasi një ndeshje derbi me dy skuadrat që ndajnë bashkë vendin e parë në kryesim, nuk ndodh shumë shpesh. Për herë të fundit në fakt ka ndodhur në vitin 1962.

Asokohe, ishte ndeshja e fazës së dytë të kampionatit dhe Interi ishte ai që fitoi derbin me shifrat 2-0. Por në fund, ajo që fitoi kampionatin ishte Milani.