Trajneri shkodran, Armando Cungu është i mendimit se ndeshja e kthimit ndaj Universitateas së Kraiovës, do jetë shumë e vështirë për Vllazninë. Një gjë të tillë ai e bazon në atë që ka parë në ndeshjen e parë në fushën e lojës.

Në një intervistë për “Shkodra Sport”, trajneri i Kombëtares së Shqipërisë U-19 deklaroi se, në ndeshjen e parë në Shkodër, aktivizimi në pjesën e dytë i sulmuesit brazilian, Kaina Nunesh, i dha një frymëmarrje tjetër ekipit shkodran.

Si një ish-trajner i skuadrës së Vllaznisë, Cungu dha mendimin e tij për ndeshjen e parë të ekipit shkodran ndaj Kraiovës, teksa tha se të dy skuadrat në fushën e lojës kishin nivele të ndryshme.

Trajneri shkodran u shpreh se kualifikimi për në turin tjetër është i arritshëm për Vllazninë, duke marrë në konsideratë edhe potencialin e skuadrës shkodrane, por ai theksoi se një gjë e tillë do të jetë shumë e vështirë.Për më tepër, lexoni intervistën e tij për “Shkodra Sport”, dhënë gazetarit Maringlen Zhivani.


Profesor Cungu, Vllaznia shkon në Rumani pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë, si e shikuat përballjen e parë në “Loro Boriçi”, duke qenë se ishit edhe vetë prezent në stadium për ta ndjekur nga afër?

Po, ishte një ndeshje me shumë interes nga ana e tifozërisë shkodrane. U shfaqën dy ekipe me nivele të ndryshme. Natyrisht, ekipi rumun i Kraiovës më superior, duke dominuar lojën në pjesën më të madhe të lojës, ku ishin prezent në gjysëmfushën e Vllaznisë pothuajse gjatë gjithë lojës. Kjo gjë ishte e dukshme, sidomos në pjesën e parë, ndërsa Vllaznia ishte pothuajse gjithmonë në pozita pritëse.


Tashmë, një përballje “shahu” nëse mund ta quajmë kështu ndeshja e dytë për të dy ekipet, si e shikoni sfidën e kthimit?

Sfida e kthimit do të jetë më e vështirë për Vllazninë. Ne po flasim gjithmonë duke iu referuar asaj ç’ka ekipet treguan në ndeshjen e parë, duke pasur parasysh cilësinë, por edhe favorin e fushës që ka Kraiova ka.


Mund të ketë trajneri Josa ndikim në një sukses të mundshëm të Vllaznisë në Rumani me strategjitë e tij? Cili është opinioni juaj rreth kësaj, diçka më tepër profesor Cungu, duke qenë se ju e njihni mjaft mirë Josën, pasi keni punuar me të?

Patjetër që, trajnerët gjithmonë kanë ndikim të madh te skuadra, qoftë me mënyrën e lojës që tashmë, Vllaznia e njeh më mirë Kraiovën, por edhe te motivimi apoa ana psikologjike, pasi në futboll mund të ndodhë çdo gjë.


Profesor Cungu, ka Vllaznia shanse të kualifikohet në turin e tretë?

E thashë edhe më sipër. Në futboll mund të ndodhin çdo gjë dhe rastet janë të shumta. Jo gjithmonë fiton më i forti, por më i vendosuri.


Profesor Cungu, do ishte me tepër interes nga ana juj edhe një koment për afrimet e Vllaznisë në merkato, të paktën për ato që luajtën në ndeshjen e parë, duke qenë se jeni një njohës i mirë i fushës dhe i anës teknike? Atëherë, pamë në lojë disa futbollistë të afruar në verë, siç ishin Boshnjaku, Nunesh, Juriç, Marku dhe në fund Alivoda, një futbollist që ju e keni pasur edhe vetë në Kombëtaren tuaj të U-19?

Nëse kishte anë pozitive Vllaznia në këtë ndeshje, ishin futja e numrit 9, Nunesh, që me cilësitë që posedon, ndihmoi Vllazninë të dalë përpara në pjesën e dytë, duke fituar dyluftimet me mbrojtjen rumune apo fitimin e faullave, duke nxjerrë ekipin përpara dhe duke i dhënë frymëmarrje tjetër ekipit. Po ashtu, mund të flas mirë si paraqitje e parë e futbollistit para mbrojtjes, Boshnjaku, që rezultoi tepër pozitiv.

Megjithatë, futja e Alivodës më gëzoi shumë dhe mendoj se gradualisht do i besohen më tepër minuta. Mbase, do jetë futbollisti i të ardhmes së Vllaznisë. I lashë për fund edhe tifozët e mrekullueshëm të Vllaznisë, si gjithmonë prezent, të shumtë në numër, gjithmonë në mbështetje të ekipit të zemrës. Këto ishin gjëja më e bukur e asaj ndeshje.


Dhe e fundit, si e parashikoni sfidën e kthimit?

E përsëris, çdo gjë mund të ndodhin. Askush nuk mund t’ia heqin të drejtën Vllaznisë për ta provuar kualifikimin, edhe pse në dukje i vështirë, prandaj them “Provoje Vllazni, forca me fitore”.
Maringlen ZHIVANI