Suksesi i sportistes së tij në Kampionatin Europian të zhvilluar pak ditë më parë në Itali ku Elsidita Selaj u kurorëzua nënkampione Europe, vazhdon të bëjë jehonë në Shqipëri.

Por një jehonë vetëm mediatike dhe pritje- përcjelljesh.

Trajneri Jetmir Kuçi në një prononcim për “Shkodra Sport” përdor edhe ironinë me atë çfarë i kanë premtuar kësaj boksiereje deri më tani.

“Suksesi i Elsiditës në fakt ka marrë jehonën e duhur dhe ka qenë e pritshme kjo gjë sepse është rezultati më i lartë në gjithë historinë e boksit shqiptar dhe për më tepër, i arritur nga një femër.

Gjatë këtyre ditëve kemi patur disa pritje që na janë rezervuar si në zyrat e Këshillit të Qarkut, në shkollën ku ajo studion apo dhe vende të tjera.

Interesant është fakti se deri më tani vetëm lule na kanë dhuruar në të gjitha pritjet e rezervuara.

Pas pak ditësh, nga informacioni që kemi, do të na presë në zyrën e tij edhe Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta.

Nëse edhe në atë takim do na dhurohen sërish lule, i kam propozuar diçka sportistes time:

Të hapë një dyqan lulesh sepse me gjithë këto tufa lulesh që na kanë dhuruar, nuk ka vend ku t’i lërë dhe në dyqan edhe mund t’i shesë dhe të përfitojë diçka prej tyre.

Këtë e thashë me ironi por në fakt, ka ikur koha e luleve. Vërtetë është kënaqësi për ne kushdo që na ka rezervuar një pritje, por konkluzioni përfundimtar nuk vlen asgjë.

Çfarë ka çuar në shtëpi kjo vajzë? Përgjigja është e thjeshtë: Asgjë! Dhe siç e thashë, kemi të bëjmë me rezultatin më të lartë në gjithë historinë e boksit shqiptar”.

© shkodrasport.com