Nga tetë ndeshje që u luajtën të shtunën e kaluar në Kategorinë e Parë, vetëm njëra ia vlente për t’u ndjekur.

Vetëm në Shkodër në sfidën mes Vllaznisë B dhe Tërbunit, të dyja ekipet kishin objektiva për të marrë rezultat pozitiv.

Në të gjitha ndeshjet e tjera ose të dy ekipet ose një, nuk kishin asnjë objektiv. Kur mungon edhe java e fundit e kampionatit, është bërë thuajse e domosdoshme që të ndryshojë skema e kampionatit.

Në Shkodër, Vllaznia B fiton 2-1 ndaj Tërbunit dhe siguron minimalisht “play-out”-in.

Një sfidë e luftuar fort, por vendësit janë më të saktë dhe shënojnë dy gola të shpejtë.

Edhe pse për dy ditë gjatë javës së kaluar nuk u stërvitën, pasi bojkotuan stërvitjen për shkak të pagave të pamarra, shkodranët ia dolën që të fitonin një prej “finaleve” të këtij sezoni.

Në ndeshjen tjetër, Korabi fiton lehtësisht me rezultatin 4-0 ndaj Besës që nuk kishte asnjë motiv, pasi e ka siguruar mbijetesën.

Madje, me skuadrën kavajase nuk udhëtuan as dy trajnerët dhe ekipi u drejtua në stol nga tekniku i portierëve.

Tërbuni-Korabi dhe Burreli-Vllaznia B janë dy finalet e mbetura. Të katër ekipet janë në garë dhe do të kërkojnë të marrin maksimumin për t’i shpëtuar rënies.

Në Grupin B, lufta është vetëm mes dy ekipesh. Të shtunën, Iliria fitoi përballjen për vendin e parë me Shënkollin, një sfidë që prodhoi shtatë gola.

Ndërsa, në ndeshjen mes Naftëtarit dhe Turbinës, kuçovarët e kanë “autostradë” përballë cërrikasve që e kishin siguruar mbijetesën.

Do të jetë ndeshja e fundit e kampionatit mes Shkumbinit dhe Naftëtarit që do të luhet në Peqin, ajo që do të vendosë se cila prej këtyre dy ekipeve do të bjerë direkt dhe cila do të luajë “play-out”.

Skuadrat janë me pikë të barabarta, por Shkumbini është i avantazhuar me ndeshje direkte.

Peqinasit luajnë për dy rezultate, fitore dhe barazim për të shkuar në “play-out”, ndërsa Naftëtarit i bën punë vetëm fitorja, pasi në të kundërt bie në Kategorinë e Dytë.

Në Grupet e “playoff”-eve, edhe pse dilemat janë zgjidhur prej javësh me Tiranën dhe Kastriotin që e kanë siguruar ngjitjen në Superiore, takimet prodhojnë sërish tension dhe përplasje.

Në Ballsh nuk e kanë kapërdirë faktin që beratasit i ndalën disa javë më parë, duke i nxjerrë përfundimisht nga gara për në Superiore dhe janë “hakmarrë”.

Trajneri i beratasve, Gersi Arbri ka denoncuar hapur gjithçka ndodhi në atë takim, duke akuzuar presidentin e Bylisit, Besnik Kapllanaj se ka kërcënuar gjyqtarët.

Për sa i përket lojës, nervat reflektohen edhe në fushë. Tomori kalon i pari në avantazh, por më pas pëson tre gola në pjesën e dytë dhe tre lojtarë të beratasve ndëshkohen me kartonë të kuq.

Në sfidën tjetër, Apolonia përmbys disavantazhin e shpejtë ndaj Pogradecit dhe fiton 3-1.

Në Grupin A, Egnatia që bëri një paraqitje shumë të mirë në këtë kampionat, thuajse e ka siguruar vendin e dytë në klasifikim.

Në sfidën ndaj Dinamos, rrogozhinasve u mjaftojnë shtatë minuta në pjesën e dytë për të përmbysur gjithç- ka.

Erzeni nuk fal në fushën e vet dhe mund Besëlidhjen me rezultatin 3-1. Një sfidë e dominuar nga shijakasit, ndërsa Besëlidhja duhet të mendojë për sezonin e ri, pasi për lezhjanët ishte ndeshja e fundit në kampionat./panorama-