Mirel Josa ka marrë sinjale pozitive nga dy ndeshjet e fundit në kampionat dhe Kupë, kështu që formacioni fitues nuk pritet të ndryshohet as për takimin ndaj Laçin.

I vetmi rikthim në fushë do të jetë ai i kroatit Marko Juriç, i cili është në balotazh me Dajan Shehin për një vend në qendër të mbrojtjes, ku do t’i bashkëngjitet kapitenit Erdenis Gurishta.

Sërish në të djathtë të mbrojtjes do të luajë Geralb Smajli, i cili mesa duket po bind teknikun me performancën e tij në këtë pozicion të fushës.Në të majtë do të vijojë që të jetë Esin Hakaj. Me skemën 4-3-3, në qendër të mesit të fushës do të luajnë Jonuzi, Boshnjaku dhe Marku.

Ndërsa në majë të sulmit rikonfirmohet braziliani Kaina, pavarësisht se Josa do të ketë të gatshëm edhe Balën. Në krahët e ofensivës i sigurt duket Mala në të djathtë, ndërsa në të majtë ka një balotazh mes Hoxhajt dhe Çobës.