Vllaznia do jetë sot përballë Skënderbeut në javën e 13-të të kampionatit. Një sfidë që ka dhuruar përballje interesante në vitet e fundit, ku edhe sot nuk pritet të zhgënjejë pritshmëritë. Kjo duke parë edhe momentin pozitiv që po kalojnë të dy ekipet.

Por edhe kjo si sfidat që zakonisht luhen në futbollin tonë është një përballje “ish-ësh”. Patjetër që vëmendja më e madhe shkon tek Liridon Latifi i cili shkëlqente vite më parë me korçarët e ndërsa sot mban veshur fanellën e Vllaznisë.

Gjithsesi Latifi nuk është i vetmi lojtar aktual i kuqebluve që ka mbajtur veshur fanellën e Skënderbeut në të shkuarën.

Po flasim këtu për Ardit Hoxhaj. Sulmuesi vlonjat ka qenë pjesë e Skënderbeut në sezonet 2016-19. Megjithatë gjatë kësaj periudhe ka qenë i huazuar tek skuadra si Korabi apo Flamurtari. Ndërsa ka luajtur të plotë sezonin 2018-19 në rradhët e bardhekuqve.

27-vjeçari në javët e fundit ka fituar edhe vend në formacionin titullar të trajnerit Brdariç. Ku pas kthimit në formë optimale nga dëmtimi i pësuar, sulmuesi është shndërruar në protagonist.

Madje ka gjetur edhe dy herë rrugën e rrjetës kundër Kastriotit dhe sot të gjithë shpresojnë që Hoxhaj apo kushdo të shënojë sërish dhe Vllaznia të mbajë ritmin e fitoreve.
Endri ÇINARI