Shkodranet e Juban Danjës kanë fituar 4-1 sot në finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj ekipit të Kinostudios duke merituar kështu trofeun e fituesit. Dy golat e kosovares Advije Veliu dhe dy të tjerët e Emanuela Jakut dhe Klaudia Rrotanit, I kanë dhënë një fitore të merituar Juban Danjës në ndeshjen e sotme. Ajo është luajtur në finalen e zhvilluar në kompleksin e ekipeve kombëtare në Kamëz. Ndeshja ka nisur me gol për jubanset që kalojnë në avantazh në minutën e katërt të ndeshjes me anë të kosovares Veliu që ekzekuton saktë një 11-metërsh dhënë për skuadrën e saj. Duket se Juban Danja do të arrinte një fitore të lehtë por nuk ndodh kështu sepse Kinostudio arrin të barazojë me anë të Lulajt në minutën e 17-të. Ekipi shkodran duket se e ka marrë lehtë ndeshjen duke e menduar të lehtë fitoren megjithatë në fundin e pjesës së parë, do jetë sërish Veliu që do ta dërgonte topin në rrjetë pas një krosi të bukur të Emanuela Jakut. Në të dytën sërish e njëjta lojë. Trajneri Krepi kërkon ta shtyjë skuadrën përpara për të mos I dhënë terren kundërshtarit dhe loja vazhdon kështu deri në minutën e 70-të, me përpjekje të Kinostudios për të barazuar ndërkohë që goli I Emanuela Jakut ka mbyllur ndeshjen e cila megjithatë do shënonte edhe një tjetër gol në minutën e 75-të me anë të Klaudia Rrotanit duke vulosur përfundimisht rezultatin 4-1. Në fund të ndeshjes shumë emocionuese ceremonia e dorëzimit të medaljeve për futbollistet dhe stafin e Juban Danjes nga ana e shefit të Sektorit të Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku, për të mbërritur kulmin tek momenti I dorëzimit të kupës në duart e kapitenes së këtij ekipi, Emanuela Jakut. Një sukses I merituar ky I gjithë vajzave të këtij ekipi, I trajnerëve Kreshnik Krepi dhe Rrok Marku por mbi të gjitha I presidentit Ferdinand Jaku që ndjehet I shpërblyer më në fund për gjithë punën e bërë dhe investimin e bërë prej vitesh për këtë ekip. “Juban Danja” në këtë mënyrë është fituesja e edicionit të tretë të Kupës së Shqipërisë. Ekipet shkodrane në këtë mënyrë pas triumfit të dyfishtë sezonin e kaluar me anë të Adës, sërish dominojnë në futbollin e femrave teksa një tjetër Kupë mbërrin pikërisht në Juban dhe me shumë siguri edhe titulli kampion I këtij edicioni sërish do mbesë në Shkodër.
www.shkodrasport.com