Fabio Kanavaro dhe Xhanluixhi Bufon kanë qenë për shumë vite shok skuadre te Juventusi dhe sidomos te kombëtarja italiane.

Por ndërsa ish-mbrojtësi ka kohë që ka mbyllur karrierën në fushën e lojës dhe tashëm është bërë trajner, portieri vazhdon të luajë ende dhe aktualisht është pjesë e Parmës në Serinë B.

Por sipas Kanavaros, ka ardhur koha që edhe ai ta mbyllë me futbollin e luajtur. Në një eveniment të organizuar në Itali, ai ka folur para gazetarëve duke u ndalur pikërisht te kjo miqësi mes tyre.

“Unë dhe Bufon bashkë te kombëtarja? Si fillim të shohim se çfarë dëshiron të bëjë ai, meqë luan ende. Ta aktivizoj si trajner në ekipin tim? Lëreni atë punë… E kam parë në fushë, është gjithmonë i përqendruar por tani duhet të ndalet. Ia kam thënë: boll më”, tha Kanavaro duke qeshur para gazetarëve.