Java e 14-të e Kategorisë së Dytë do të sjellë një ndeshje “derbi” për Shkodrën. Murlani-Veleçiku, janë dy ekipet që do të ndeshen këtë të shtunë.
Në prag të kësaj sfide, për “Shkodra Sport”, kapiteni i Murlanit, Vildan Kaçubela, ka folur për këtë ndeshje të rëndësishme dhe se si po e pret skuadra e Murlanit këtë përballje, duke treguar edhe gjendjen e ekipit të tij, teksa pohon se ata janë të motivuar për një rezultat pozitiv, për të arritur synimet që kanë.
“Këtë ndeshje ndaj Veleçikut, e shikoj pak të vështirë, por ne do të mundohemi të bëjmë maksimumin në fushë, që të arrijmë rezultatet e duhura. Nuk mund të them dot që do e fitojmë këtë ndeshje ndaj Veleçikut, por do të bëjmë të pamundurën për t’ia dalur. Deri atëherë ngelet për t’u parë.
Nga që luajmë në fushën tonë, është edhe një mundësi e jona që të paraqitemi sa më mirë. Të japim maksimumin në fushë, që në fund të jetë një fitore e madhe nga ne.
Unë e shikoj ekipin shumë të motivuar për çdo ndeshje dhe për të arritur synimet që ne kemi. Pas çdo vështirësie, ekipi jonë do të bëjë të pamundurën që të arrijmë rezultatet e duhura”,-shprehet ai.
Në fund, si kapiten, Kaçubela, ka edhe një mesazh për tifozët, teksa kërkon mbështetjen e tyre në ndeshjen e së shtunës kundër Veleçikut.
“Tifozët e Murlanit i kemi çdo ndeshje, na ndjekin kudo që shkojmë të luajmë. Unë gjej mundësinë t’i falënderoj ata për çdo gjë, por me gjithë respektin maksimal për të gjithë tifozët, iu kërkoj atyre që të vijnë, të na japin sa më shumë kurajo kundër Veleçikut”,-mbylli prononcimin e tij, kapiteni i Murlanit, Vildan Kaçubela.
Maringlen ZHIVANI