Kastrioti dhe Korabi kanë zhvilluar ditën e shtunë një miqësore, e fituar pastër nga skuadra dibrane, e cila luan në të Parën. Dy skuadrat janë përballur në Kompleksin në Kamzë, teksa ndeshjen e kanë vendosur dy supergola të Kekos dhe Sokol Mziut.

Ndeshja ka nisur dy orë me vonesë për shkak të “trafikut” të sfidave të moshave. Megjithatë, skuadrat janë njoftuar për këtë vonesë. Ndeshja nisi në 17:00 dhe u zhvillua nën dritën e projektorëve.

NDESHJA – Skuadra e Korabit tregon shpejt rrezikshmërinë e saj. Që në të tretën Franci Lala tenton portën me një diagonale, por gjen përgjigjen e Salit. Tre minuta më vonë vjen kundërpërgjigjja e krutanëve me anë të Santiago Selmanit, që godet mbi traversë.

Në të 36-ën Kasalla jep një asist për Kekon, që godet dhe gjen përgjigjen e bukur të Salit. Pjesa e parë mbyllet pa gola, me dibranët më aktivë. Në të dytën skuadrat bëjnë shumë ndryshime. Dibranët e nisin në mënyrën e duhur, duke shënuar me Kekon.

Sulmuesi në minutën e 57-të niset në mesfushë dhe driblon dy kundërshtarë, teksa në ecje e sipër godet fluturimthi dhe tund rrjetën duke lënë në vend portierin Malaj. Vetëm tre minuta më pas vjen edhe goli i dytë. Kapiteni Sokol Mziu futet brenda zonës dhe pranë pikës së penalltisë nuk e ka të vështirë “të postojë” topin në rrjetë dhe të fiksojë shifrat 2-0.

Më pas loja ndizet së tepërmi dhe është Kastrioti, që vihet në kërkim të golit për të shkurtuar diferencën. Janë 7 gjuajtje drejt portës së mbrojtur nga Mehidri në harkun e 9 minutave, por Zetuna, Greca, Jusuf dhe Selmani nuk e mposhtin dot gardianin që bën dy pritje shpëtimtare. Më pas vihet ekuilibri në fushë dhe herë njëra skuadër e herë tjetra rrezikojnë portat, por në fund gjithçka mbyllet me fitoren e Korabit.