Kampioni i Europës në kërcim së gjati Izmir Smajlaj po vijon në Turqi fazën përgatitore në prag të aktiviteteve të para ndërkombëtare të vitit 2018. Atleti 24-vjeçar, muajin e fundit ka qenë në San Marino, ku është përgatitur rregullisht, por tashmë hedhjet e shkodranit do të vijojnë në Turqi. Dhe së fundmi ai ka bërë një kërcim fantastik, që është postuar edhe në faqen e tij në Facebook.

Është zgjedhur shteti ballkanas për stërvitje edhe për faktin se aty do të zhvillohen disa aktivitete ndërkombëtare, një miting ndërkombëtar më 11 janar dhe Kampionati Ballkanik i sallave të mbyllura, më 17 shkurt. Smajlaj është kampion i Europës në sallat e mbyllura në garën e kërcimit së gjati, ku në Beograg kërceu 8.08 metra dhe solli në Shqipëri medaljen e artë.