Ditët e fundit gjithnjë e më shumë po flitet për një emër i cili me shumë siguri do të ketë një të ardhme të ndritur në futboll. Bëhet fjalë për 14 vjeçarin me origjinë nga Shkodra Kevin Zefi (Gjini). Aktualisht është pjesë e Akademisë së Shamrock Rovers dhe e kombëtares U15 të Irlandës por në një të ardhme të afërt me siguri që këtë emër do ta shohim në klube shumë më të njohur sepse interesimi për të ka kohë që ka nisur.

Kush është Kevin Zefi?
Ka lindur në Irlandë më 11 shkurt të vitit 2005 nga dy prindër shkodranë që kishin emigruar në këtë vend. Kevin e ka pasion futbollin që në moshë të vogël dhe i ati- Kastrioti e rregjistron në një ekip që në moshën 4 vjeçare, pikërisht tek Mountviewper.

Aty qëndron për 4 vite ndërkohë që më pas kalon tek St Kevins me të cilin luan për 5 vite të tjera dhe ndërkohë nga sezoni i kaluar i është bashkuar Shamrock Rovers, njërës prej Akademive më të njohur në këtë vend sepse drejtuesit e saj insistuan për ta patur pjesë të tyre, aty ku eshte bashkuar me nje shkodran tjeter te talentuar, Justin Ferizajn.

Luan në mesfushë, si në të djathtë ashtu edhe në të majtë, por shpeshherë trajnerët, si tek ekipi i klubit dhe ashtu edhe tek ai kombëtar, e aktivizojnë edhe si sulmues dhe ai nuk ka zhgënjyer asnjëherë, madje duke shënuar edhe shumë gola.

Kombëtarja e Irlandës
Pak muaj më parë, drejtuesit e kombëtares irlandeze të grupmoshës U15 i bënë ftesë për të qenë pjesë e saj dhe Kevin bashkë me familjarët e tij e mirëpritën një ftesë të tillë duke iu bashkuar kësaj kombëtareje. Ai është pjesë e rëndëishme e ekipit, luan gjithnjë titullar në çdo ndeshje që zhvillohet, madje është edhe protagonist me lojën dhe golat e tij.

Mjafton të përmendim faktin që në të dy ndeshjet e zhvilluara ditët e fundit ndaj kombëtares së Polonisë, Zefi ka qenë edhe autor golash duke kontribuar në fitoret e kombëtares së Irlandës.

Ftesa nga Shqipëria
Pas miqësores së parë me Poloninë dhe zhurmës së bërë pas bashkimit me kombëtaren e Irlandës edhe të djalit të Rudi Vatës, Roccos, zbuluesi i talenteve të FSHF-së në Britaninë e Madhe mësohet t’i ketë telefonuar babait të Kevinit duke i shprehur atij interesin që i biri t’i bashkohej kombëtares shqiptare në të ardhmen.

Në lidhje me këtë çështje, Kastriot Zefi ka dhënë një prononcim të shkurtër për “Shkodra Sport” duke folur për këtë ftesë teksa thotë: “Më ka telefonuar një përfaqësues i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe ka shfaqur interesin për djalin që ai në të ardhmen të përfaqësoj Shqipërisë. Sigurisht që unë e falenderoj atë dhe Federatën për këtë interesim por për momentin e kemi bërë zgjedhjen tonë teksa djali po luan për Irlandën.

Janë shumë arsye që për momentin djali të luajë për kombëtaren e vendit ku jetojmë. Pikësëpari është mosha e vogël e tij sepse në shkurt mbush 15 vjeç dhe prandaj nëse do të grumbullohej me Shqipërinë, nuk do kishim mundësinë për ta ndjekur e shoqëruar në grumbullimet që do të bëheshin për shkak të angazhimeve familjare që kemi këtu.

Pastaj drejtuesit e kombëtares irlandeze e vlerësojnë maksimalisht dhe ishin të parët që na hapën dyert dhe sigurisht e vlerësojmë për këtë gjë. Megjithatë gjithçka është e hapur. Me kalimin e viteve dhe rritjen e moshës, Kevin besoj se ka për të bërë zgjedhjen e duhur sepse edhe Shqipëria është një opsion shumë i mirë, është kombëtarja e vendit tonë dhe nuk mund t’i themi kurrë “jo”. Gjithsesi, e përsëris, është herët për të marrë një vendim përfundimtar. E rëndësishme është që Kevin të vazhdojë të luajë mirë dhe të spikasë me ekipin aktual, të tjerat pastaj rregullohen”.

Ofertat
Gjatë dy viteve të fundit që Kevin Zefi është pjesë e Shamrock Rovers, ai ka zhvilluar shumë turne në mbarë Europën ku padyshim që ka rënë në sytë e shumë skautëve të ekipeve të njohura. Si rrjedhojë nuk kanë munguar edhe ofertat për të qenë pjesë e Akademive të tyre. Për momentin nuk ka asnjë vendim por me shumë siguri që në një të ardhme të shpejtë, këtë lojtar do ta shohim në Angli, aty ku përfundojnë të gjithë talentet irlandezë. Kjo është dhe arsyeja që na bën të shpresojmë që pas 4-5 vitesh të besojmë se do të krenohemi me një shkodran pse jo edhe në Premier League dhe ai mund të jetë Kevin Zefi.
Gjergj KOLA