Ndodh edhe kështu. Në vend që të pretendojë rritjen e fondit për vitin aktual, ekipi I peshëngritjes së Vllaznisë do të ketë më pak fond në dispozicion për vitin 2012 nga ana e klubit. Nuk bëhet fjalë për ndonjë reduktim të madh të fondit por e rëndësishme është që ky ekip sivjet do ketë 500 mijë lekë të vjetra më pak në dispozicion. Lajmi bëhet I ditur për gazetën online shkodrasport.com nga njëri prej trajnerëve të këtij ekipi Muhamet Tuzi që do thoshte: “Na është komunikuar nga ana e drejtuesve të klubit që sivjet do kemi 500 mijë lekë të vjetra më pak në dispozicion. Më duket paksa absurde kjo gjë sespe jemi ekip kampion dhe në vend që të pretendojmë rritjen e fondit, na e zvogëlojnë atë. Kjo nuk është aspak normale. Po ju marr një shembull: Në kampionatin që zhvillohet këtë javë në Elbasan, pretendojmë që me dy sportistë të rinj të kapim normën e kategorisë së parë, që do të thotë se kemi të bëjmë me sportistë të cilësisë së lartë të cilët rrjedhimisht duhet të përfitojnë edhe trajtim ushqimor. Po ku ta marrim atë? Duhet t’ua zbrezim atë sportistëve të tjerë dhe kjo nuk është normale sepse ne pretendojmë të rrisim cilësinë sportive dhe jo ta ulim atë. Megjithatë pavarësisht kësaj, jemi të sigurtë që titullin kampion do ta sjellim edhe këtë vit në Shkodër sërish për të tretën herë rradhazi”.
www.Shkodrasport.com