Kombëtarja shqiptare e boksit do të grumbullohet pasditen e së dielës në Shkodër, në përgatitjet e fundit për pjesmarrjen në Memorialin Ndërkombëtar “Vllaznia 2014” që do të zhvillohet javën e ardhshme. Kjo bëhet e ditur nga stafi drejtues I këtij ekipi I cili ka kohë në fakt që po punon për përzgjedhjen e sportistëve më të mirë që do të përfaqësojnë vendin tonë në këtë aktivitet të rëndësishëm ku do marrin pjesë boksierë nga disa vende të botës. Në fakt ende nuk është përcaktuar përbërja e plotë e kombëtares sonë sepse pritet konfirmimi përkatës I të gjitha vendeve pjesmarrëse për numrin e boksierëve që do sjellin dhe në bazë të tyre pastaj, do të bëhet plotësimi I peshave me boksierët tanë. Për këtë arsye, ditën e premte, në palestrën e boksit të klubit Vllaznia është zhvilluar edhe një ndeshje kontrolli me boksierët më të mirë vendas. Forma e tyre ka qenë e mirë dhe tashmë mbetet vetëm të shohim paraqitjen e tyre në ring. Siç bëhet e ditur nga stafi drejtues I kombëtares sonë, shpresat më të mëdha për marrje medaljesh janë të përqëndruar tek boksieri Kristin Shytani që do të konkurrojë në peshën 64 kilogramë. Po ashtu shpresa ka edhe për boksierët Albi Sorra dhe Xhulio Vrenozi që do konkurrojnë në peshën 69 kilogramë, tek Alban Barmeta në peshën 75 kilogramë dhe Nelson Hysa në peshën super të rëndë. Memoriali I sivjetëm është I 11-të që zhvillohet në Shkodër në nderim të disa prej figurave të shquara të boksit shkodran dhe atij shqiptar që nuk jetojnë më. Edhe në turneun e sivjetëm do të marrin pjesë boksierë nga rreth 10 vende të botës teksa kanë konfirmuar pjesmarrjen e tyre edhe Italia, Bullgaria, Kazakistani, madje edhe Zelanda e Re dhe shtete të tjera. Këto ekipe do të mbërrijnë në Shkodër më 15 maj ndërsa aktiviteti do të zgjasë tre ditë, nga data 16 deri më 18 maj.
Gjergj KOLA