Anneli Andersén është emëruar sot trajnere e Kombëtares së grave të Kosovës, duke e zëvendësuar të shkarkuarën Afërdita Fazlijun. Ajo u prezantua së bashku me ekipin e vet ndihmës sot në një konferencë për media në Prishtinë.

Ajo do të debutojë për Kosovën në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës kundër Norvegjisë në udhëtim, pa shpresa për ta siguruar pjesëmarrjen në një turne të madh për herë të parë.

Kosova është e parafundit në Grupin F kualifikues, me vetëm 4 pikë nga gjashtë ndeshjes. Norvegjia i prin grupit me 16 pikë, e ndjekur nga Belgjika me 13, Polonia me 11 dhe Shqipëria me 7. Armenia është e fundit pa pikë. Andersen thotë se shpreson se do ta përçojë përvojën e vet të madhe në skuadrën dardane.

“Shpresojmë se do të kontribuojmë me përvojën tonë te Kosova. Shpresoj se do të mundë të përfitoni nga përvoja jonë e gjatë”, tha ajo në fjalët e saj të para si trajnere e Kosovës, raporton nacionale.com.

E pyetur nga gazetari Burim Pacolli pse e zgjodhi Kosovën dhe cilat ishin arsyen që e shtynë të vijë këtu, ajo tha se mundësia për të kontribuar.

“Shumë gjëra natyrisht, por është një sfidë e madhe, mbi të gjitha sepse futbolli i grave është sporti me rritjen më të shpejtë tani për tani. Dhe për mua mundësia që të kontribuoj në ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës është sfidë e madhe. Ne presim që të kontribuojmë në ekipin tuaj me metodën suedeze”, tha ajo.

Andersen e kishte nisur punën në vitin 2007 në nivelin të çarkut me Federatën suedeze dhe nga viti 2007 deri më 2017 e kishte udhëhequr ekipin suedez U19.

E pyetur sa shumë e njeh kombëtaren e Kosovës, ajo theksoi: “Në ditët e sotme është shumë lehtë ta njohësh një ekip përmes të dhënave në internet. Ne kemi punuar dy javë për t’i analizuar lojtaret, ndeshjet dhe kundërshtaret, por fillimi i vërtetë do të jetë shumë i vështirë ndaj Norvegjisë dhe Belgjikës.”

Rreth synimeve të saj me Kosovën, Andersen nënvizoi: “Synimet e mia me Kosovën për ta përçuar përvojën tonë te ky ekip, kam 150 ndeshje si pjesë e Suedisë por është pak e vështirë të paraqitesh mirë me vetëm dy stërvitje. Për të luajtur mirë në mbrojtje, duhet të luash mirë në sulm. Por të jemi të sinqertë loja me Norvegjinë në udhëtim besoj që e dimë çfarë do të ndodhë.”

Ajo foli edhe për futbollisten kosovare të Kombëtares së grave të Suedisë, Kosovare Asllanin, duke dhënë se e kishte stërvitur atë në Kombëtaren U19 para se ajo të depërtonte në Kombëtaren A të Suedisë.

“Në ekipin tim të parë e kam pasur Kosovare Asllanin në ekipin tim U19 dhe kam qenë me fat që ajo e ka bërë atë depërtimin e madh në kombëtaren A duke kaluar nga duart e mia. Ajo është futbolliste e shkëlqyer”, tregoi ajo.