Pas katër ditësh skuadra e tij do të zbresë në fushë kundër “Partizanit B” në ndeshjen e vlefshme për javën e parë të kampionatit të kategorisë së dytë.

Ervis Kraja dhe Vllaznia B duken gati për një start të mbarë. Duke folur për “Shkodra Sport” pas miqësores së sotme me Adën, që e kanë fituar 4-1, numri 1 i pankinës së kësaj skuadre është shprehur:

“Tashmë jemi gati për t’i bërë një start të mbarë kampionatit të ri. Kuptohet që do të tentojmë ta nisim me fitore ndaj Partizanit B sepse objektivi ynë është rikthimi në kategorinë e parë sepse ai është vendi ynë.

Sot jemi në kategorinë e dytë për shkaqet që dihen”. Nga ana tjetër, Kraja ka bërë të ditur edhe përbërjen që do të ketë “Vllaznia B”, ku do të alternohen elementët e sezonit të kaluar me lojtarë të tjerë të rinj që janë ofruar kohët e fundit.

“Kryesisht do jenë të njëjtët futbollistë, të cilëve u janë bashkangjitur edhe lojtarë të ardhur nga ekipi i të rinjve. Besoj se duke patur një bashkëpunim të mirë edhe me stafin e ekipit të parë, do ia dalim të arrijmë objektivin.

Kuptohet se jemi me shpresë se nuk do të kemi problemet e sezonit të kaluar dhe nga drejtuesit e rinj të klubit kemi marrë garanci për këtë gjë”- ka thënë Kraja.

Ndeshja “Vllaznia B”- “Partizani B” do të luhet të dielën në orën 16.00 në fushën sportive “Reshit Rusi”
© shkodrasport.com