Prej dita javësh ndodhet në krye të Veleçikut megjithatë Kreshnik Krepi ende nuk ka arritur t’i japë atë çfarë i duhet këtij ekipi, pikërisht qetësinë në renditje. Skuadra koplikase vazhdon të ndodhet në vendet e fundit të tabelës së renditjes dhe nga mënyra si po shkojnë gjërat, ajo rrezikon seriozisht rënien nga kategoria. I pyetur se çfarë po ndodh me këtë skuadër, trajneri Krepi për mungesën e pikëve ka fajësuar gjyqtarët për ndëshkimin sistematik që i kanë bërë Veleçikut por edhe mosmbështetjen e duhur nga ana e drejtuesve të klubit. “Jemi dëmtuar shumë nga gjyqtarët dhe për rrjedhojë nuk kemi arritur të marrim pikët e duhura në shumë ndeshje. Megjithatë nuk është vetëm kjo gjë. Edhe drejtuesit e klubit nuk na kanë qëndruar aq pranë sa duhet dhe prandaj jemi në këtë situatë aspak të mirë”- ka thënë Krepi.Ndërkohë ditën e shtunë, koplikasit kanë një ndeshje shumë delikate. Do luajnë në Pukë ndaj Luftëtarit të Gjirokastrës dhe trajneri Krepi e konsideron shpresën e fundit ndoshta për ekipin e tij prandaj dhe do kërkojë medoemos fitoren në këtë ndeshje. “Detyrimisht që do na duhet të fitojmë ndaj Luftëtarit sepse nuk kemi alternativë tjetër. Kuptohet që po bëjmë çmos që Veleçiku të mos bjerë nga kategoria sepse kudo ku kam punuar më parë ia kam dalë me sukses por edhe nëse kjo ndodh, duhet ta pranojmë. Megjithatë unë e kam marrë përsipër drejtimin e kësaj skuadre dhe deri në fund do të mundohem ta shpëtoj, bashkë me futbollistët e rinj, shumica e të cilëve kanë dalë nga ekipet zinxhir të Vllaznisë”- ka thënë ai.Pas largimit të trajnerit të mëparshëm Besnik Duli, gjërat nuk kanë ndryshuar tek Veleçiku. Moszhvillimi i ndeshjeve në Koplik, problemet financiare por edhe përbërja jo e duhur e skuadrës, kanë bërë që ajo të mbetet në kuotën e 6 pikëve megjithatë duhet pritur deri në fund se çfarë do ndodhë me të, nëse do qëndrojë apo jo në kategorinë e parë.
Gjergj KOLA