Vllaznia nuk ka ecur mirë në javët e fundit në kampionat, duke mos njohur fitore prej 7 raundesh rradhazi. Pavarësisht se shkodranët kanë arritur finalen e kupës, ku në 31 maj do kenë përballë Partizanin, ecuria në Superligë nuk ka qenë pozitive. Një rol të madh ka pasur edhe forma e Liridon Latifit.

Prishtinasi ka pësuar një rënie drastike të formë në këtë periudhë. Duke ditur cilësitë e tij, por edhe si një prej më të paguarve të kampionatit nga ana e 28-vjeçarit pritet shumë. Patjetër ai është shënuesi më i mirë i Vllaznisë me 11 gola, por duhet theksuar se 6 nga këta gola kanë ardhur nga pika e penalltisë.

Statistikat janë më shqetësuese në 10 javët e fundit në kampionat. Ish-futbollisti i Skënderbeut ka shënuar 3 gola, në ndeshjet kundër Partizanit (1-1), Dinamos (2-1) dhe Teutës (1-1). Të gjithë gola të ardhur nga pika e bardhë e 11 metërshit. Duhet të kthehemi në javën e 20-të të kampionatit për të parë një gol me aksion të Latifit.

Më saktë në datën 13.02.2022, ku Vllaznia mundi me rezultatin 4-2 ekipin e Teutës. Në atë ndeshje Latifi realizoi një dopietë, duke qenë protagonisti kryesor.

Pra 2 muaj që sulmuesi nuk shënon nga aksioni, formë që ka ndikuar edhe në ecurinë e Vllaznisë. Të gjithë shpresojnë që numri 7-të ta kalojë sa më shpejt këtë “ngërç” e të ndihmojë skuadrën në sprintin final të sezonit.

Endri ÇINARI