Kreu i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, pas takimit që ka bërë në stafin teknik të Vllaznisë, duket se është i hapur për të pritur ofertat e biznesmenëve të ndryshëm për të marrë drejtimin e kësaj skuadre. Në Shkodër, që para dy muajsh qëkur ish-presidenti Valter Fushaj pat theksuar se do të ishte i gatshëm për të marrë drejtimin e kuqebluve, por me kushtet e tij, pra minimalisht 51% të aksioneve t’i përkisnin atij dhe 49% bashkisë, u fillua që të përflitet për një rikthim të tij në krye të ekipit shkodran.

Megjithatë një gjë e tillë, nga sa mësohet të paktën nga burime pranë ish-presidentit, nuk duket se flasin për një rikthim të tij në krye të klubit kuqeblu. Ndërkaq, tashmë kanë filluar që të fliten emra të tjerë biznesmenësh nga brenda dhe jashtë Shkodrës, që mund të marrin drejtimin e klubit, pra të jenë donator të tij.
Deklarata – Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, z.Luka, i cili dje paradite mori pjesë në aktivitetin e përbashkët shqiptaromalazez, pjesë e projektit “Marubi”, “Duke ruajtur traditat ruajmë vlerat e vetvetes”, në mes të tjerave, u ka kthyer edhe përgjigjen sa u përket emrave të lakuar që mund të jenë pjesë e drejtimit të klubit për këtë sezon apo edhe për vazhdimësinë. Sipas tij, nuk ka pasur asnjë kërkesë konkrete dhe zyrtare, ndërsa ka pohuar se janë në pritje. “Nuk ka asnjë kërkesë konkrete dhe zyrtare. Ne mbetemi në pritje të atyre që do të dëshirojnë që të marrin klubin Vllaznia, sipas ligjeve dhe rregullave. Unë jam i vendosur për të bërë më të mirën edhe nëse nuk afrohet askush. Këtë ia kam premtuar edhe stafit teknik”, – ka thënë presidenti i klubit kuqeblu, Luka. Ai është optimist se, edhe nëse nuk do të ketë biznesmenë që do të jenë të interesuar për të marrë drejtimin e Vllaznisë, stafi që drejton do e mbajë në elitë ekipin shkodran.
Ecuria – Vllaznia e mbylli në vend të tetë të klasifikimit pjesën e parë të sezonit. Ndërkaq drejtuesit, nisur nga kjo, do të kërkojnë të bëjnë ndërhyrjet e nevojshme në merkato, në mënyrë që të përforcohet akoma edhe më shumë. Krerët e klubit kuqeblu këmbëngulin për të marrë shërbimet e kosovarit Mentor Zhdrella. Gjithsesi, gjithçka mbetet për t’u parë.

Admir URUÇI