Dëmtimi i Marash Kumbullës duket se ka prishur plotësisht planet e klubit të Veronës pasi mungesa e futbollistit shqiptar ka çekuilibruar prapavijën e skuadrës e cila po çudiste të gjithë në javët e para të Serisë A.

Futbollisti është detyruar prej më shumë se tre javësh të qëndrojë jashtë fushave të lojës dhe për trajnerin Nikola Juriç, ky është kthyer në një problem të madh, siç u pa edhe këtë javë ku prapavija la për të dëshiruar ndaj Romës.

Që kur Kumbulla la fushën e lojës i dëmtuar në minutat e parë ndaj Breshias, ekipi ka pësuar 6 gola në kampionat dhe nga një mbrojtje thuajse e pakalueshme, është bërë një ekip i cili mund të thyhet lehtë në prapavijë.

Ndaj nuk është rastësi që pas humbjes 3-1 përballë Romë, Juriç është pyetur në konferencë se si ishte situata e mbrojtësit të ri shqiptar.

“Do të jetë e vështirë që ta kemi gati për Atalantës”, ka pranuar Juriç, duke lënë të kuptohet se Kumbullës i dihej ende kohë për të qenë në formën e tij më të mirë dhe për të dhënë kontributin në fushë.

Ndaj të shtunën, kundër një prej sulmeve më të forta në Itali, Kumbulla do të jetë përsëri spektator, me shpresën që ajo të jetë ndeshja e fundit në një rol të tillë. /vipsport/