Albert Kaçi është një ish-sulmues shkodran që ka lënë gjurmë jo vetëm me fanellën e Vllaznisë, por gjithashtu edhe tek Elbasani, teksa ka fituar tri herë titullin kampion në karrierën 15-vjeçare. Prej pak vitesh Kaçi ka nisur rrugën e trajningut, ndërsa i kontaktuar dje nga “Panorama Sport” foli për ecurinë e Vllaznisë këtë sezon, krahasimin me kampionatin e kaluar, por jo vetëm.

40- vjeçari është i bindur se skuadra shkodrane do të fitojë në “Klasike” kundër Tiranës të shtunën. Kaçi ka qenë një ish-sulmues që mbahet mend për golat e shpeshtë në portën bardheblu, qoftë si pjesë e Vllaznisë, ashtu edhe Elbasanit.


Albert, si e shikoni situatën te Vllaznia pas gjashtë javësh kampionat?

Unë besoj se situata te Vllaznia është normale dhe nuk ka pse dramatizohet pas humbjes me Kukësin. E them këtë, sepse nuk është fundi i kampionatit që duhen patjetër pikët, sepse mund të kesh kusht për të dalë kampion. Mendoj se me kohën, Vllaznia do të shkojë aty ku i takon. Çfarë do të mbjellë, do të korrë në fund të sezonit.

OK, por shikohen luhatje në ekip nga ndeshja në ndeshje. Nga fitorja spektakolare me Dinamon te humbja me Kukësin. Si e shpjegoni këtë?

Luhatje ka për të pasur deri në fund të kampionatit, sepse kjo është bukuria e futbollit. Por, unë besoj se Vllaznia është e kompletuar në çdo repart dhe ka për të pasur një ecuri të mirë në vazhdim.

Sipas gjykimit tuaj, kjo Vllazni është më e fortë apo me e dobët se e një sezoni më parë?

Vllaznia e këtij sezoni është më e kompletur se vjet, por nga ana tjetër, unë nuk e shikoj këtë sezon, të paktën deri më tani, aq afër titullit sa ishte në kampionatin e kaluar. Gjithsesi, unë vazhdimësinë e Vllaznisë e shikoj më lart se ku ndodhet tani, por normalisht që ka për të pasur një rrugë të gjatë dhe të vështirë. Me aq sa kam parë, ekipet e tjera mendoj se janë forcuar shumë këtë sezon.

Cilët mendoni se mund të jenë pretendentët kryesorë për titullin?

Pretendentë për titull është herët për të folur për një ekip apo disa. Për mua ose më mirë të them për ne, ishalla del Vllaznia jonë kampione, por realisht është shpejt për emra konkretë. Rrugëtimi është i gjatë dhe me të papritura.


Luhet Vllaznia-Tirana të shtunën. Cili është mendimi juaj për këtë klasike të futbollit shqiptar?

Vllaznia-Tirana gjithmonë ka qenë një klasike e bukur, si në ndeshjet e luajtura në kryeqytet, ashtu edhe në Shkodër. Tiranën e ndoqa në derbin me Partizanin se sa e fortë ishte. Vllaznia duhet të luajë fort dhe me shumë kujdes ndaj saj.


Cilat janë shanset për një fitore kundër bardhebluve kryesues?

Vllaznia do të kthehet te fitorja dhe kam besim se do të shikojmë një lojë shumë të bukur. Madje, më të bukurën që e kemi parë që nga fillimi i këtij kampionati