Kupa “Menduh Dedja” e organizuar me rastin e 10 vjetorit të ndarjes nga jeta të ish- futbollistit të njohur të Vllaznisë së viteve ’60-’70, është mbyllur me sukses mesditën e sotme. E organizuar nga “Shkodra Sport Event” në bashkëpunim me shoqatën sportive “Shkodra 2006” dhe Zyrën Rajonale të FSHF-së, në këtë kupë kanë marrë pjesë 4 ekipe 17 vjeçarësh.

Sot është zhvilluar ndeshja finale e saj, dhe përballë kanë qenë ekipi shkodran “Djelmnia shkodrane” i drejtuar nga trajneri Arber Shytani dhe ekipi kosovar A&N. Ky i fundit ka luajtur më mirë dhe ka fituar 2-1 duke merituar edhe kupën e vënë nga organizatorët.

Në ceremoninë përmbyllëse të kësaj kupe kanë marrë pjesë edhe kolegë të Menduhit si Paulin Ndoja e Rauf Çanga, por edhe Hysen Zmijani dhe Hysen Dedja. Bashkë me bashëshorten e tij Safeten, u kanë dorëzuar edhe çertifikatat ekipeve pjesmarrëse.

Ndërkohë mjeshtri Paulin Ndoja i ka dhënë çmimin e lojtarit më të mirë të kësaj kupe futbollistit të ekipit “Djelmnia shkodrane” Aldo Nika.

Në fund të aktivitetit, momenti më emocionues ka qenë kur Safete Dedja i ka dorëzuar kupën kapitenit të ekipit kosovar A&N që u shpall fitues i saj.

Në një prononcim të shkurtër, njeriu që i ka qëndruar gjatë përkrah Menduhit, ka falenderuar organizatorët që u kujtuan për të nderuar Menduhin, një futbollist të shkëlqyer por edhe njeri të tillë.

E kanë vlerësuar maksimalisht këtë figurë edhe mjeshtrat Ndoja e Çanga ndërkohë që i emocionuar është shfaqur Ser Dedja, i vëllai sepse prej tij ka mësuar gjithçka sa i takon futbollit.

Ajo që ka më shumë rëndësi se gjithçka është se figura të tilla duhen nderuar vazhdimisht sepse e meritojnë për atë çfarë kanë dhënë për Vllazninë dhe për Shkodrën.
© shkodrasport.com