Reali i Madridit do të vinte përpara disa vitesh në Shqipëri për të zhvilluar një ndeshje miqësore me Gramozin. Një organizim ky i Taçi Oil që ka sjellë edhe këtë skuadër kampionësh në vendin tonë. Por në këto kohë të karantinës dhe izolimit është momenti që të shpalosen edhe arkivat. Kështu Alban Dragusha ishte një prej protagonistëve të zgjedhur për të luajtur kundër madrilenëve.

Kjo pasi u zgjodhën lojtarët më të mirë në Superiore, jo vetëm nga Gramozi. Dragusha mbronte fanellën e Besës së Kavajës, ndërsa në një rrëfim për gazetën “Zëri” tregon edhe momentet para nisjes së ndeshjes, që kanë edhe humor brenda.

Trajneri Agim Canaj e kishte studiuar kundërshtarin dhe një ndër këshillat e dhëna ishte që të mos mashtroheshin nga Rauli, pasi tërhiqet më mbrapa me top për të marrë edhe mbrojtsat me vete, ndërsa në këtë mënyrë i lë hapësirë Ronaldos dhe Kakasë. Flitej për emra që të shkaktonin drithërima vetëm kur i dëgjoje, prandaj Dragusha e kishte një lutje për trajnerin: “Amon o profesor mos ma kujto kë kemi përballë”. Në fund, ndeshja do të fitohej nga Reali në shifrat 2-1.

“Më kujtohet shumë mirë ajo lojë. Isha shumë i gëzuar që u përzgjodha të luaja në atë ndeshje sepse u bë një seleksionim nga superliga shqiptare dhe unë isha i përzgjedhuri nga Besa e Kavajës, ku ishin edhe disa bashkëlojtarë të mijë që ishin përzgjedhur, u bë si një lloj përfaqësueseje e Superligës.

Ishte ndjenjë pa përshkruar kur e mendoje që kemi përballë klubin mbretërorë, kundër gjithë atyre yjeve botëror, që ne mezi presim të vinte fundjava që t’i shohim duke luajtur. Një fakt interesant nga ajo ndeshje ishte kur trajneri Agim Canaj po e bënte analizën dhe detyrat për secilin lojtar para se të fillonte ndeshja.

Kur erdhi te unë përveç detyrave tjera me tha: ‘Dragusha, Rauli zakonisht kthehet mbrapa për ta marrë topin dhe për ta marrë qendërmbrojtësin me vete që t’ju lë hapësirë Ronaldos dhe Kakas. Kështu që t’i mos e ndiq po rri në vendin tënd’.

Unë fillova të qesh dhe i thashë: “Amon profesor mos ma kujto se kë kemi përballë deri sa të dalim në fushë’. Ishte një moment i humorit pasi të gjithë bashkëlojtarët filluan të qeshnin. Ndjenjë e pa përshkruar ishte edhe në tunel para se të dilnim në fushë, kur i shihje lojtarët përkrah teje si: Guti, Kaka, Ramos, Ronaldo, Raul. Pastaj kur të fillon ndeshja i harron këto. Isha shumë me fat që isha pjesë e atij formacioni të përbërë nga ajka e Superligës së Shqipërisë në atë kohë dhe nuk do ta harroj asnjëherë”, ka përfunduar Dragusha. /Sport Ekspres/