Opinion nga Gjergj KOLA

Në kampin shkodran tashmë vetë pjestarët e tij, po e përmendin shpeshherë fjalën “dështim”. Pikërisht nisur nga fakti që skuadra u eliminua në turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë dhe me shumë mundësi nuk do hyjë në katër skuadrat më të mira të kampionatit. Por në të vërtetë kush dështoi, Vllaznia, Bashkia si drejtuese e klubit apo Vata. Në pamje të parë dështuan të gjithë. Vllaznia dështoi se nuk arriti objektivat e saj. Bashkia se nuk arriti ta menaxhojë siç duhet situatën dhe faktorë të ndryshëm në klub ndërsa Vata sigurisht që ka humbur sepse karrierën e trajnerit e nisi pa sukses pikërisht me skuadrën e qytetit të tij të lindjes. Nga këta tre faktorë, sigurisht që për Vllazninë nuk është ndonjë humbje e madhe sepse nuk është hera e parë dhe as e fundit, që çon dëm një sezon. Edhe për Bashkinë nuk është ndonjë dëm I madh se harxhoi disa milionë lekë nga ata të taksaguesve shkodranë dhe në këtë përvojë të parë si menaxhuese e futbollit, nxorri mësimet e veta. Po ashtu, edhe për Rudi Vatën nuk ka ndonjë humbje të madhe. Ai tashmë tek Vllaznia u bë trajner. Në CV-në e tij do ta rregjistrojë këtë fakt dhe nëse do ta vazhdojë karrierën si trajner, sigurisht që një emër I tillë, është I respektueshëm. E gjithë zhurma mes palëve ka të bëjë me merkaton e janarit. Troshani në emër të klubit ka thënë se I kanë lënë çdo gjë në dorë trajnerit dhe nëse është gabuar me marrjen e lojtarëve, është tërësisht faji I tij. Vata nga ana tjetër, mëse njëherë është shprehur që drejtuesit e klubit nuk ia kanë plotësuar asnjë nga kërkesat që ka patur. Në pamje të parë, duket si lojë fjalësh megjithatë Brenda mund të ketë edhe shumë gjëra të tjera. Sigurisht që palët kanë për t’I zbuluar gjatë këtyre ditëve në daljet e tyre para mediave. Mbase secila ka të drejtë. Drejtuesit e Bashkisë dhe ato të klubit mendojnë se në merkaton e janarit u blenë katër lojtarë dhe u harxhuan 70 mijë euro por asnjëri prej tyre nuk rezultoi efikas. Mjafton për këtë t’I referohemi ndeshjes së fundit në Pogradec. Në këtë ndeshje nuk luajti për shkak dëmtimi Brnoviç, një nga të blerët e janarit (madje më I shtrenjti prej tyre) ndërkohë që tre të tjerët, Moreno, Vuk dhe Jabllan u zëvendësuan në fund të pjesës së parë ose në fillim të së dytës. Për ironi të fatit dhe kundër tyre, lojtarët 18-19 vjeçarë që u aktivizuan në vend të tyre, kthyen lojën. U shënua goli I parë, u rrit loja, u shënua edhe goli I dytë që u anullua pa të drejtë nga gjyqtari. Atëherë normalisht drejtuesit e klubit pyesin: Përse u blenë këta të huajt? Aprovimin për ta në fakt e ka dhënë vetë Vata dhe stafi I tij. Trajneri dy javë më parë, në një studio televizive I mbrojti këta blerje duke thënë se merkatoja e janarit nuk ishte e dështuar. Pikërisht nga kjo, nisi dalja në skenë e polemikave që në fakt, ka kohë që ekzistojnë pavarësisht se drejtuesit e klubit dhe ato të Bashkisë nuk kanë dalë në skenë. Kanë dasht ta lënë skuadrën të qetë deri në momentin kur ajo doli nga objektivat e saj prandaj dhe tani kanë folur. Sa do vlejë kjo gjë? Sigurisht që asgjë. Më të “djegurit” në këtë mes kanë për të dalë tifozët e zjarrtë të Vllaznisë që prej vitesh presin një skuadër pretendente për titullin kampion dhe më shumë dëgjojnë “fjalë sesa vepra”.