Për të dytin vit me radhë, Ada e Velipojës është shpallur kampione e Shqipërisë në futbollin për femra. Një meritë kjo e punës së palodhur të gjithë kësaj skuadre dhe e trajnerëve Fatmir dhe Hava Axhani, por edhe qëndrimit shumë pranë këtij ekipi të presidentit Lazër Matija. Ditën e djeshme në fushën “Reshit Rusi”, Ada është kurorëzuar një javë para përfundimit të sezonit me titullin e dytë radhazi. Një vlerësim maksimal për punën e këtij grupi, që duhet filluar nga portieria dhe kapitenia Kokiçi e pastaj me Lazri, Sufaj, Rnkoviç, Franja, Shpuza, Doçi, Malesia Abazaj, Gruda, Tula, Vujosheviç, M.Matija, E.Matija, Bajrakurtaj, Muja, Qershija e shumë vajza të tjera që kanë kontribuar dhe kontribuojnë për këtë skuadër.


Në takimin e parafundit të zhvilluar në Shkodër ndaj The Door, Ada ka arritur të fitojë me shifrat 1-4, duket bërë realitet ato objektiv që kjo skuadër dhe presidenti i saj Lazër Matija e kishte deklaruar që në startin e këtij sezoni. Pjesa e parë e takimit ka qenë thuajse e barabartë, pavarësisht diferencave të lojtareve të Adës që, me cilësitë e tyre të mira, kanë arritur ta mbyllin këtë pjesë me shifrat 0- 2 . Një lojë, gjatë së cilës nuk kanë munguar rastet për shënim. Megjithatë, për golat ka menduar një nga më të mirat e kësaj skuadre sulmuesja Tula, e cila ka arritur të shënojë dy, një më të bukur se tjetrin, në harkun kohor prej 2 minutash. Pjesa e dytë ka pasur përsëri rivalitet, pavarësisht se kundërshtaret e The Door nuk kanë arritur të surprizojnë ashtu siç kishin bërë në javën e parë të kësaj pjese të sezonit, pikërisht me ekipin e vendit të dytë skuadrën e Juban Danjës. Doçi një tjetër lojtare potente shënoi edhe golin e tretë për ekipin e saj. Pavarësisht se Shega ka shënuar dhe është dukur se The Door do të futej përsëri në lojë, goli i katërt i shënuar përsëri nga ana e Doçit ka vulosur gjithçka në këtë përballje. Por kjo fitore i ka hapur plotësisht rrugë ekipit të Adës, që të fillonte që dje pasdite festën e titullit të dytë të kampionit për futbollin për femra. Tani ambiciet e drejtuesve kërkojnë të shkojnë më larg, në një ballafaqim sa më dinjitoz në Ligën e Kampioneve.

 

THE DOOR-ADA 1-4
GOLAT: Shega 65′/Tula 24′, 26′, Doçi 57′, 72′
THE DOOR: Hoxha, Pusi, Asllanaj, Stallaj, Skutina, Piranaj, Probibaj, Hallulli, Dulaj, Shega, Djegsina. Trajner: A.Meta
ADA: Kokiçi, Lazri, Sufaj, Rnkoviç, Franja, Shpuza, Doçi, Malesia (Abazaj 15′), Gruda, Tula, Vujosheviç. Trajner: F.Axhani
GJYQTARË: F.Borova, S.Ahmeti, G.Krymi