Opinion nga Jeton Selimi*

Herën e parë që kishte ikur nga Shqipëria, Rudi Vata ndërroi dy skuadra franceze (Le Mans dhe Tours) në një vit e gjysmë përpara se të kthehej edhe njëherë andej nga kishte ardhur, Dinamo. Por lojtari që kishte fituar një vend në kombëtare, pavarësisht mosaktivizimit të shumtë, nuk u dorëzua. Një vit si dinamovit dhe erdhi kapërcimi i madh: Sëlltiku i Gllasgout.

Tre vjet me skuadrën e pjesës katolike të qendrës më të madhe skoceze dhe Rudi shndërrohet në një mbrojtës modern për kohën. Pozicional, i fortë në dyluftimet në ajër dhe me talentin e tij më të madh: vendosmërinë e paepur. 45 ndeshje dhe katër gola në tre sezone me skuadrën e “the hoops”, duke arritur edhe triumfin në një Kupë të Skocisë në vitin 1995. Janë vite të dominuara nga rivali protestant i Sëlltikut, Gllasgou Rejnxhërs, dhe shkodrani nuk mundi të fitojë asnjë titull kampion. Në verën e vitit 1996, Vata braktis Skocinë e lagësht për një vend më ekzotik, Qipron. Dy vite me Apoelin e Limasolit, një finale kupe e humbur përballë Anorthosis Famagustës, por me një karrierë të pasur personale: 49 ndeshje dhe 9 gola. Një pasaportë e mirë për të firmosur me gjermanët e Kotbusit. Dy vite në Bundesliga 2 dhe Vata është njëri prej aktorëve kryesorë të kalimit të ekipit në Bundesliga 1. Qëndron edhe një vit në klubin lindor të Gjermanisë dhe më pas, për arsye dëmtimi, do të shohë karrierën e tij që do t’i perëndojë më shpejt sesa e kishte menduar. Do të kalojë katër vitet e ardhshme duke shëtitur si një globetrotter mes kampionateve të ndryshme. Alhen në Gjermani, Tirana në Shqipëri, Jokohama në Japoni, St Xhonstoun në Skoci dhe një “ta” te Partizani. Vite të vuajtura këto të fundit, por që gjithsesi nuk e zhbëjnë faktin se Vata është një prej lojtarëve kuqezi me karrierën më të mirë jashtë vendit. 58 ndeshje me përfaqësuesen kuqezi dhe 5 gola për të. Menjëherë pas largimit nga futbolli i luajtur, Vata u shndërrua në një agjent futbolli, u vendos në Skoci, prej nga kishte edhe bashkëshorten, Anne Frances, nënën e dy djemve të tij. Por mos mendoni se me Vllazninë do të përfundojë edhe dëshira e Vatës për futbollin e në veçanti për trajningun. I përballur me një mentalitet që mbase ai e kishte harruar, Rudi pa që t’i shkërmoqej ideja dhe projekti që ai kish për të ardhmen e kuqebluve. Konfrontimi me zyrtarët më të lartë të skuadrës së kthyer në sh.a vetëm pak ditë përpara se ai të merrte detyrën që la Mirel Josa. Me dëshirën e tij për të ecur para, Vata e ktheu egon në arrogancë, duke harruar një detaj thelbësor: shoqëria aksionere është një realitet i ri për futbollin shqiptar, pjesë e së cilës është edhe Vllaznia. Nuk lëshoi pe në asnjë moment, duke kërkuar të bindë mbase edhe ata njerëz që nuk bindeshin dhe rezultati ishte ky: Vata e Vllaznia janë në prag gjyqi. Natyrisht që Rudi nuk do ta kishte dashur këtë, por diçka është e sigurt: ai nuk do të heqë dorë nga ajo që ka fiksuar në kokë dhe që me egon e tij do të kërkojë ta arrijë patjetër: të çajë përpara në fushën e trajningut, sikundër bëri edhe në moshë të njomë si futbollist. Veçse jo më me arrogancë dhe mendjemadhësinë që karakterizon unin e tij. Sepse atij i pëlqen të flasë në vetën e tretë, të dëgjojë emrin e tij të shqiptuar prej tij dhe të lerë pas dore edhe ndonjë fërkim me tifozët në tribuna. E qartë që Rudi 43-vjeçar vijon të jetojë me pasionet e Vatës futbollist.

*Marrë nga gazeta “Mapo”