Katër humbjet radhazi në shtëpi, ku tri prej të cilave i përkasin kampionatit dhe një kupës, kanë gati dy dekada që nuk ndodhnin me Laçin.

Skuadra që është njohur prej vitesh prej fushës së vështirë që ka pasur për çdo kundërshtar, befas tashmë është kthyer në një tabelë “qitjeje”. Eliminimi nga Kupa e Shqipërisë ndaj Egnatias dhe humbja e thellë 0-3 në shtëpi ka tronditur jo pak drejtuesit.

Fillimisht trajneri Gentjan Mezani paralajmëroi largimin, por në orët e ardhshme gjërat u sheshuan dhe për momentin vlonjati do të vijojë të drejtojë skuadrën, të paktën edhe për ndeshjen e sotme ku Laçi pret Vllazninë në orën 13:00.

Në këtë takim fitorja shihet si detyrim për bardhezinjtë, pasi ndodhen në zonën e ftohtë të tabelës dhe nëse kampionati do të mbyllej sot, ata duhet të luanin një ndeshjes shtesë për qëndrimin në Superiore me skuadrën që fiton fazën “play off” në Kategorinë e Parë.

Pritet që trajneri Mezani të bëjë disa ndryshime në formacion, në një kohë që ndeshja e fundit me rrogozhinasit tregoi se kurbinasit kanë probleme të mëdha në mbrojtje. Drejtuesit presin që lojtarët të marrin situatën në dorë dhe të bëjnë kthesën e menjëhershme, pasi askush në klub nuk mund të përtypë këtë situatë. Një tjetër hap fals do të komprometonte edhe më tepër pozitat.