Saliou Guindo mbetet në Superiore. Sulmuesi nga Mali, që u shpall edhe golashënuesi më i mirë i sezonit që lamë pas, ka vendosur të rinovojë kontratën me Laçin edhe për vitin e ardhshëm.

Lajmin e konfirmojnë drejtuesit e kurbinasve për SuperSport, të cilët zbulojnë se përgatitjet për eliminatoret europiane nisin pikërisht nga rinovimi me Guindo, një pikë reference për sulmin e skuadrës.

Gjithashtu konfirmohet se në marrëveshjen mes palëve është lënë i hapur largimi i sulmuesit, nëse do t’i vijë një ofertë e mirë nga jashtë, që përmbush edhe pretendimet ekonomike të klubit kurbinas.

Laçi e mbylli sezonin në vendin e dytë, një arritje historike kjo për bardhezinjtë, të cilët morën medalje argjendi edhe në Kupën e Shqipërisë, pasi u mposhtën në finale nga Vllaznia.

Kurbinasit do të nisin aventurën europiane në turin e parë të Conference League më 7 korrik, teksa në shortin e 14 qershorit do të njihet edhe me kundërshtarin.