Albert Xhemollari është ndarë nga jeta, duke sjellë një lajm të trishtë për klubin e Pogradecit dhe pjesën tjetër të futbollit shqiptar. Xhemollari ishte presidenti i parë i klubit liqenor, ku mbajti këtë detyrë nga viti 2004 deri në vitin 2009.

Lajmin e bën të ditur gazetari Tonin Frroku përmes rrjeteve sociale. “Lumtumirë miku im Albert Xhemollari. Ti që i fale gjithçka ekipit të Pogradecit si President i kësaj skuadre.

Ti që bëre gjithçka për këtë ekip duke e ngjitur në nivelet më të larta të futbollit shqiptar. Në jetën time mbetesh një nga njerëzit më fisnik që kam njohur në Pogradec. Pushofshi në paqe vëlla”, shkruan i pikëlluar Frroku.

Kujtojmë se i ndjeri nuk ka pasur në skuadër vetëm lojtarë të spikatur të vendit tonë, por ka punuar dhe me trajnerë të njohur, ndër të cilët përmendim Ilir Dajën dhe Andrea Markon.

Për t’u treguar gjithashtu se gjatë asaj kohe, lojtarët kishin kontrata për herë të parë. Klubi i Pogradecit mund të thuhet se përjetoi disa prej viteve më të mira të historisë së tij me Albert Xhemollarin si president./newsport/