Ka qenë një e dielë miqësoresh për disa ish-futbollistë të Skënderbeut, që janë përballur mes tyre. Ali Sowe ka sfiduar Liridon Latifin, në testin mes CSKA Sofie dhe Puskas Academy, ku hungarezët fituan me rezultatin 3-1. Paraqitje e mirë për futbollistin e kombëtares, jo edhe aq për ish-bomberin e Superligës, pra afrikanin.

Në testin tjetër miqësor, në Spanjë, Sabjen Lilaj sfidoi Enis Gavazajn, në sfidën mes Gabala dhe Yenisey, që përfundoi 2-2. Gabala kaloi e para në avantazh në minutën e 53-të me anë të ish-sulmuesit të Kukësit, Rauf Alijev. Vetëm 3 minuta zgjati avantazhi i skuadrës azerbajxhanase pasi rusët barazuan shifrat në minutën e 56-të.

Lilaj realizoi nga pika e bardhë e 11-të metërshit, në të 73′, pas penalltisë së fituar nga Alijev, ish-futbollist i Kukësit. Megjithatë, Yenisey barazoi 3 minuta nga fundi. Në fushë ishin tre ish-futbollistë të Skënderbeut, Lilaj, James dhe Gavazaj, ndërsa Alijev ish i Kukësit.