Partizani-Vllaznia ishte gjysmëfinalja e dytë e Kupës së Shqipërisë. Akti i parë i luajtur në “Elbasan Arena” u mbyll në barazim 0-0, ndërsa në minutat e fundit, Vllaznisë iu anullua një gol me VAR që shkaktoi shumë polemika. Aralica kërcën mbi Belicën dhe Matondo duke goditur me kokë dhe e dërgoi topin në rrjetë.

Gjyqtari Ferhataj mori sinjalizim nga VAR dhe pas rishikimit vendosi ta anullonte për faull dhe një gjë e tillë solli irritimin e skuadrës shkodrane.

Të ftuar në emisionin “Gol pas Goli”, ish-lojtari i Partizanit, Ledio Pano dhe analisti Astrit Hafizi u shprehën se ky gol ishte i rregullt dhe gjyqtari gaboi duke e anulluar.

“Goli është shumë i rregullt. Mendoj se ky ishte rast fatal e për mendimin tim goli ishte i rregullt”, u shpreh Hafizi.

“Duke e parë në momentin e parë duket i rregullt, është një vendosje e gabuar e mbrojtjes së Partizanit në minutat e fundit. Është gabimi i VAR dhe i gjyqtarit”, u shpreh Pano.