Liridon Latifi i bie drejt. Ka bërë zgjedhjen e duhur që është afruar te Tirana. Sipas tij, formula e kampionatit është me dy presa, pasi favorizon skuadrat poshtë vendit të parë. Latifi foli gjatë edhe për ndjesitë e të qenit bardheblu, si dhe faktin që 26 herë kampionët duan të marrin titullin kampion në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”. Fjalë ka edhe për gjendjen e skuadrës si dhe çfarë pret nga sfida e parë me dinamon në kampionat.

Tani jeni në javën para kampionatit, mund të bëjë Latifi një vlerësim për këtë Tiranë në prag të nisjes së Superiores?

Tirana është e projektuar për të qenë kampione e Shqipërisë këtë sezon. Gjithsesi, për të arritur këtë objektiv na duhet shumë punë. Jemi paraqitur shumë mirë në Europë, por tani duhet të bëjmë punën më të madhe. Siç e thashë edhe më lart, na duhet shumë djersë për të ngritur trofe. Nga ana tjetër, kemi një skuadër shumë të fortë në emra, ama duhet ta dëshmojmë në fushë me lojën tonë këtë superioritet në emra. Të gjitha vlerat që kemi duhet t’i shfaqim që të jemi më të qetë dhe të fitojmë çdo ndeshje.


Si e keni parë Tiranën në tri miqësoret e zhvilluara ndaj Vllaznisë, Ilirisë dhe Elbasanit?

Ekipi pas ndeshjeve të Europës ka qenë pak i lodhur. Asnjë nuk e ka pasur mendjen te rezultati. Kemi luajtur më shumë për të marrë atë që donim nga ndeshja. Taktika, lëvizjet dhe Denison dhe Hoxhallari gjatë një derbi të dy sezoneve më parë gjërat e tjera kanë qenë në plan të dytë, duke filluar që nga rezultatet e ndeshjeve. Shpresoj që prej së dielës të marrim rezultatet që dëshirojmë.


Te Tirana keni tre muaj, si e vlerësoni këtë skuadër tani që jeni brenda saj?

Tirana duket që është një ekip me shumë trofe. Ekip shumë i madh dhe me tifozë të flaktë. E kam pritur një atmosferë të tillë nga ana e tifozëve. Prisja që do të ndërtohej një skuadër shumë e fortë. Shpresoj që të bëjmë gjëra të mëdha këtë kampionat siç i ka hije Tiranës.

E nisni një derbi me Dinamon. Një ndeshje, që, sipas jush, ku e ka vështirësinë e saj?

Do të jetë një sfidë delikate. Dinamo është një skuadër e re e kësaj lige. Kanë bërë edhe disa transferime serioze dhe i vlerësoj. Ama ne duhet të bëjmë punën tonë dhe nëse e bëjmë punën tonë siç kërkon trajneri Orges Shehi besoj që nuk do të jetë problem dhe do të fitojmë.

Ju keni luajtur shumë në Superiore, po këtë sezon formula për t’u shpallur kampion ka ndryshuar. Cili është vlerësimi juaj?

Një dilemë e madhe dhe nuk e di se çfarë të them. Është një formulë e re dhe do ta shohim se çfarë do të na sjellë. Do të jetë pozitive apo negative për ne. Besoj se në fund të vitit do ta ndërpresin, pasi gjërat nuk do të shkojnë ashtu siç mendohet.

A ndikon te rruga e titullit?

Ta marrësh me qetësi edhe ndikon për mirë dhe për keq. Mundet që Tirana të dalë kampione, duke qenë e dyta, e treta apo e katërta. Nga ana tjetër është që ne mund të jemi 15 pikë përpara dhe ta humbasim kampionatin.