Asnjëherë nuk ka pasur dyshime tek askush se tifozët e Vllaznisë janë me të vërtetë të veçantë. Mbështetësit kuqeblu me të vërtetë kanë qenë të një niveli tjetër këtë sezon, madje duke sjellë edhe performanca si tifozeritë në mbarë Europën. Edhe në ndeshjen e fundit kundër Tiranës në “Loro Boriçi”, tifozët ishin më të zjarrtë se kurrë.

E famshja tribuna C5 tashmë ishte e mbipopulluar nga tifozët që i bashkoheshin ultrasve të zakonshëm që qëndrojnë në atë sektor. E jo vetëm atmosfera e zjarrtë në këtë takim, por edhe disa keorografi mjaft interesante dhe të veçanta e bën akoma më të bukur performanën e tifozëve që nuk ishin të paktë në shkallët e “Loro Boriçit”.

Madje kishte edhe tifozë që kishin ardhur nga vende të ndryshme të Europës për të shikuar këtë takim. Epo kjo është Vllaznia, një dashuri pa kushte për shumë kënd në Shkodër, por edhe për gjithë shkodranët jashtë qytetit. Pavarësisht se skuadra ndoshta nuk është ku ata e duan, në krye të renditjes, mbështetja ndaj kuqebluve nuk ka munguar kurrë.

Edhe transfertat janë shndërruar shpesh në ndeshje “shtëpiake”. Kjo nga prania e madhe e tifozëve shkodranë nëpër stadiumet ku luan Vllaznia. E nëse ka një “lojtar” që ka shkëlqyer këtë sezon tek Vllaznia, ata janë tifozët që meritojnë respekt dhe duartrokitje gjithmonë.
Endri ÇINARI