Vllaznia U-19 ka arritur të thyejë disi momentin e keq që po kalonte qyteti i Shkodrës, pas rënies nga Superiorja të ekipit të parë.

Gjatë ditës së sotme, grupmoshat e Vllaznisë që drejtohen nga Luan Zmijani, fituan me rezultatin 2-1 në finale ndaj Flamurtarit.

Një fitore kjo që ka lehtësuar zemrat e thyera të shkodranëve, të paktën sipas Luan Zmijani.

Në një intervistë për “RTSH Sport”, ai ka ngurruar të komentojë ekipin e parë të Vllaznisë, duke theksuar faktin se në një moment të tillë janë të shumta figurat e sportit që po i kritikojnë lojtarët.

“Mund të them se është një punë e gjatë te akademia e Shkodrës. Çdo gjë që ishte e mundur për t’u fituar në këtë sezon ne e morëm: Kupën, Kupën e Veriut dhe Superioren.

Tashmë marrim pjesë për herën e dytë radhazi në “Champions League”. Ishte emocioni i madh në vitin e shkuar, pasi ishim ekipi i parë shqiptar që mbërrinim deri atje.

Tashmë do të mendohemi më mirë, për t’u paraqitur seriozisht në nivelin e duhur.

Eksperienca është fituar disi për t’u përballur me kundërshtarët e tjerë, por fillimisht duhet të presim shortin.

Nëse mund të them se fitimi i kësaj Kupe ka lehtësuar disi dhimbjen e shkodranëve, atëherë duhet të pyesim vetë tifozët, sepse ata e kanë përjetuar situatën më shumë sesa ne”, ka thënë Zmijani. /vipsport/