Aktiviteti futbollistik nuk do ndalojë as ditën e sotme ku ekipet anë e mbanë vendit do ndeshen mes tyre. Përjashtim nuk bën as Vllaznia me skuadrat e akademisë që do gjejnë veten në aksion sot. Një takim shumë i rëndësishëm do luhet në orën 13:00 në Pezë-Helmes ku Vllaznia u19 do ketë përballë Football Republic u19.

Takim që luhet për gjysmëfinalen e kampionatit të kësaj moshe dhe ku suksesi në këtë takim garanton ecurinë në finale. Skuadra e drejtuar nga legjenda e futbollit shkodran, Vioresin Sinani tashmë është në momentet e fundit të edicionit, ku synohet titulli kampion që të garanton edhe pjesëmarrjen në Uefa Champions League për u-19.

Ndeshja parashikohet të jetë e fortë dhe të vërë përballë dy nga skuadrat më cilësore të kësaj grup moshe në mbarë vendin.

Tek kuqeblutë janë disa emra që janë afruar edhe në stërvitjet e skuadrës së parë si: Pjeshka apo së fundmi edhe Alivoda dhe Spahija. Ndërsa nuk mungojnë as elementë të tjerë cilësor si Cungu, Delaj, Qerpiku apo edhe Mujaxhi.

Një ndeshje ku do kërkohet suksesi për tu afruar më shumë me titullin kampion. Nga ana tjetër edhe u-17 e Vllaznisë e drejtuar nga Edmond Doçi do ketë një ndeshje të vlefshme për kampionatin në takimin kundër Shkëndijës së Tiranës në transfertë.
Endri ÇINARI