Argjentina është ndalur në një barazim 1-1 përballë Islandës. Megjithatë, nesë nuk do të ishte për atë penallti të humbur nga Lionel Messi loja pritet të kishte marrë një tjetër rrjedhë.

Ky gabim ndikoi shumë në performancën e “pleshtit” në minutat e mbetura, duke krijuar një hije dyshimi për dy ndeshjet e radhës.

Por, për ta ngushëlluar ka menduar legjenda e kombëtares “Albiceleste”, Diego Armando Maradona. Don Diego i ka kujtuar Messit historinë e Botërorit të vitit 1990, vit ku arritën në finale.

“Ne e kemi filluar me një humbje Kupën e Botës. Ajo ishte në debutimin e Italisë ’90 dhe pavarësisht nga lëndimet serioze, pavarësisht nga gjithçka, arritëm në finale në Romë, falë Goycoechea dhe sakrificës së të gjithë djemve.”-deklaroi Maradona.

Atëkohë, Argjentina u mposht nga Kameruni me rezultatin e ngushtë 1-0 ndërkohë që Maradona ka treguar se është tifozi numër 1 i kombëtares, pasi ditën e sotme kishte udhëtuar drejt Moskës për ta mbështetur nga afër.