Marash Kumbulla është padyshim një nga zbulimet më të mëdha në këtë sezon të Serisë A. Mbrojtësi shqiptar deri në këtë pikë të sezonit ka shkëlqyer me Veronën, teksa edhe pse në vitin e tij të parë në elitën e futbollit italian, sërish ka treguar potencialin, aftësitë dhe karakterin e duhur.

19-vjeçari, mbi të gjitha ka debutuar në tetor edhe me Kombëtaren e Shqipërisë, ndërsa fatkeqësisht këtë grumbullim nuk mund të jetë pjesë e kuqezinjve si pasojë e një dëmtimi.

Në një intervistë për mediat italiane, Kumbulla është shprehur se ndihet shqiptar por edhe italian, ndërsa zbulon se në bisedën e parë me trajnerin e Shqipërisë Edi Reja, ky i fundit i ka thënë se i pëlqente si lojtar dhe se e njihte.

“ Jam më mirë, pata një tërheqje por fatmirësisht asgjë e rëndë. Dhe shpresoj të rikthehem në fushë sa më shpejt të jetë e mundur. Mendoj se ëndrra e kujtdo është të luaj në Serinë A. Unë e doja shumë këtë dhe ia arrita, edhe falë familjes sime.

Nga origjina jam shqiptar, ndihem si italian ashtu edhe shqiptar. Por, kam zgjedhur të luaj për Shqipërinë. Çfarë më ka thënë trajneri Reja? Më ka thënë se më njihte dhe se i pëlqeja. Më bëri të debutoja dhe e falënderoj.

Tashmë, duhet të vazhdoj kështu, ndoshta të përmirësohem në disa aspekte. Mbrojtja e hekurt te Verona? Është meritë e trajnerit, dhe në Milano kundër Interit kemi bërë mirë”, nënvizoi Kumbulla.  /VipSport/