Ish-mbrojtësi i Juventusit dhe Italisë, dhe ish-trajneri i Partizanit, Mark Iuliano, është rrëfyer në mikrofonët e “Casa Baggio” dhe “GazzaMercato”, duke kujtuar momentet më të rëndësishme të karrierës, episodin e famshëm të ndërhyrjes ndaj Ronaldos dhe aventurën e shkurtër në Shqipëri.

Për këtë të fundit lëshon edhe akuzën e rëndë se në kampionatin tonë të gjithë vinin baste, nga lojtarët te presidentët. Ja intervista e plotë e Iulianos:

Kur e kuptuat se futbolli do të ishte profesioni juaj?

Isha një djalosh i ardhur nga një familje e thjeshtë dhe kërkoja diçka të re.

Pata mundësinë të rritesha në sektorin e të rinjve të Salernitanës, për të shkuar më pas në skuadrën e parë, duke përfituar edhe nga një seri dëmtimesh e titullarëve.

Në vitin 1991 debutova në Serinë B dhe u rrita falë besimit që më dha Burgnich.

Karriera imë ka qenë gjithmonë me ulje-ngritje, për shkak të disa dëmtimeve, që gjithsesi më lejuan të shkoja te skuadra e zemrës, Juventusi.

Dhe fanella bardhezi u bë lëkura juaj, ai gol titulli në vitin 1997…

Në Salerno, unë dhe Frezi ishim dy mbrojtës qendre shumë të mirë, gjysma e Serisë A na kërkonte. Në 1995 ai zgjodhi Interin, kurse një vit më pas unë shkova te Juventusi. Në mënyrë të pashpjegueshme ky ekip vendosi të investonte tek unë (qesh). Vitin e parë më morën në huazim. Vendosa pa u menduar dy herë. Atë gol e kujtoj edhe tani. Nuk i harroj fitoret e panumërta dhe sukseset jashtë fushe, që na bënin më të fortë. Në Torino shkova djalosh dhe u ktheva burrë.

20 vjet pas episodit të 26 prillit 1998, me VAR, a do të ishte dhënë penallti?

Nuk e di, mund të them se aksioni është i dyshimtë. Por mos harroni kurrë se VAR-i varet nga personat, duket edhe sot.

E gjitha kjo ka sjellë diskutime në shtyp dhe deri në parlament, duke krijuar një krizë institucionale kundrejt federatës. Unë kam bërë historinë (qesh).

Çfarë ndodhi pas largimit nga Juve në vitin 2005?

Ishte e dhimbshme të lija ato ngjyra. Isha i lodhur dhe kisha probleme familjare. Im bir kishte një problem me lëkurën dhe duhej të transferohesha në një qytet bregdetar.

Duhej të lija Torinon dhe vendosa të mos vishja asnjë fanellë tjetër në Itali. Shkova në Majorka, krenar pas gjithçka që kisha bërë me Juven.

Juventusi mund ta fitojë Championsin?

Kanë bërë një merkato vere të mirë, që po jep fryte. Në dy finalet e fundit Juve nuk mund të bënte më shumë, pasi kundërshtarët ishin të një tjetër planet.

Barcelona dhe Reali i Madridit ishin më lart. Tani, me Dibalan në formën më të mirë, skuadra mund të shkojë drejt triumfit.

Pse eksperienca te Partizani me Luçiano Moxhin u mbyll para kohe?

Që në fillim kisha dyshime për ta pranuar ofertën dhe gjatë punës atje kuptova se parandjenjat e mia ishin të sakta.

Për fat të keq, në Shqipëri lejohet që futbollistë, drejtues dhe presidentë të vënë baste për ndeshjet. Kjo gjë më bëri të kisha vështirësi.

Shumë ndeshje, sipas meje, kishin rezultate të dyshimta. Së fundi kam refuzuar oferta nga Serie B dhe C. Po përgatitem të kthehem në nivelin më të lartë. /Vipsport/