Kombëtarja shqiptare e vajzave vazhdon grumbullimin shtatë ditor në Ulqin të Malit të Zi, aty ku 22 futbolliste kuqezi janë vënë në dispozicion të trajnerit Armir Grima dhe stafit të tij. Në kuadër të këtij grumbullimi të parë për këtë vit, fshf.org ka zhvilluar nje intervista me njeren prej lojtareve të ekipit Kombëtar mbrojtësen tashmë të konfirmuar, Matilda Gjergji, e cila ne kampionatin shqiptar luan me Vllaznine.

“Çdo grumbullim i Kombëtares ka rëndësinë e vet dhe sigurisht që ka edhe qëllime të caktuara. Atmosfera në ekip është shumë e mirë, kemi një staf që është shumë i përkushtuar ndaj nesh. Jam shumë e kënaqur që jam pjesë e këtij grumbullimi rutinë, që në fakt është shumë i rëndësishëm për ne.

Kemi 7 ditë grumbullimi me seanca të ngarkuara, pasi zhvillojmë nga dy seanca në ditë, ku po përmirësohemi e po përgatitemi më tej në kuadër të sfidave të ardhshme të Kombëtares” – thotë Matilda Gjergji, e cila flet edhe për vajzat e reja që i janë bashkuar ekipit shqiptar dhe si janë pritur nga ‘veteranet’ e ekipit.

“Në këtë grumbullim janë afruar shumë vajza të reja, të cilat kanë shumë cilësi dhe mund t’i shërbejnë ekipit tonë. Mundohemi që çdo ditë e në çdo seancë të shkëmbejmë eksperiencë me to, duke qenë se vajzat e reja luajnë jashtë vendit. Kemi gjetur një komunikim shumë të mirë dhe uroj që kjo marrëdhënie e ndërtuar kaq mirë në stërvitje të shihet më tej edhe në ndeshjet e Kombëtares” – tregon për fshf.org Matilda Gjergji.