Edmond Ruço ka analizuar takimin e fundit mes Izraelit dhe Shqipërisë, e përfunduar në shifrat 2-1. Në një prononcim për “Sport Ekspres”, ka zgjedhur që të marrë anët pozitive të këtij takimi dhe jo vetëm dëshpërimin që na ka kapluar. Kur flitet për Armando Brojën, vendoset theksi te vlera e këtij sulmuesi që shumë Kombëtare të tjera do të donin ta kishin në gjirin e tyre.

“Duke parë nisjen e ndeshjes dhe vendosjen taktike, në 25 minutat e para ne ishim superior. Duhej të kishim shënuar me anë të Brojës, por këto janë gabime individuale që duhet të përmirësohen me kalimin e kohës. Në përgjithësi më ka pëlqyer performanca e Shqipërisë. Ajeti ishte zgjedhja e duhur e Rejës, që në bazë të kushteve dhe dëmtimeve të lojtarëve, ka bërë zgjedhjen e duhur. Por kjo nuk do të thotë se Kumbulla e humb pozicionin në të ardhmen. Kumbulla i duhet Kombëtares, luan në nivele të larta të futbollit dhe akoma nuk ka dhënë atë që duhet të jap. Unë kam shumë besim te ky lojtar.

Hysaj? Është lider në fushë, gabimet ndodhin, i ndodhin çdo lojtari në botë. Duhet të marrim tre pikëshin me Islandës, që unë jam i bindur që do t’ia dalim. Do të tregojmë vlerat tona edhe ndaj Islandës, që është në balancë me ne. Duhet të fitojmë me çdo kusht. Kemi një grup të mirë lojtarësh. Ne kemi një brez të artë lojtarësh dhe do të shkojmë më lart se këtu ku jemi.

Broja? Është pasqyrimi i minutave të pakëta te Chelsea. Është xhevahir i Shqipërisë që shumë Kombëtare në Europa e kanë zili dhe do të donin ta kishin në gjirin e tyre. Kishte dy mundësi, goditi vetë dhe nuk pasoi, por nuk është gabim. Broja mbetet Broja, ka të ardhme të shkëlqyer përpara. Duhet të marrë më minuta në këmbë te Chelsea”, tha Edmond Ruço.